Politike

Dy koalicione, opozita tjetër përballë PS në zgjedhje

Në kuadër të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, Partia Socialiste ka dorëzuar sot në KQZ kërkesën për regjistrim të koalicionit me emrin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”. Në listë janë 21 parti të cilat pak ditë më parë firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit.

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, pas takimit me aleatët dy ditë më parë përsëriti bindjen për mostejkalimin e afateve Kushtetuese për zhvillimin e vendoreve.

Po ashtu ai tha se do të ketë masa të rënda ndëshkimore për të gjithë ata që do të tentojnë të prishin procesin zgjedhor.

Pjesë e koalicionit të majtë bëjnë pjesë partitë tradicionale të PS, siç është PDS e Paskal Milos dhe e PSD e Skënder Gjinushit.

Ndërkohë, pas Aleancës për Shqipërinë Europiane me në krye Partinë Socialiste, një tjetër koalicion është regjistruar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas KQZ-së, bëhet fjalë për një koalicion të dytë me 7 parti të vogla, me emrin “Shpresa për Ndryshimin”.

Ky është koalicioni kundërshtar apo opozitar që regjistrohet në KQZ për zgjedhjet e 30 qershorit dhe do të garojë përballë maxhorancës së drejtuar nga kryeministri Edi Rama për 12 bashki të vendit.

PARTITË

Aleanca Kuq e Zi

Bashkimi Liberal Demokrat

Demokracia e Re Europiane

Aleanca Popullore

Partia Balli Kombëtar

Partia Emigracioni Shqiptar

Partia Ora e Shqipërisë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë