Irena Beqiraj

Dy ide për ditë të këqija!


Një fjalë e urtë e popullit thotë “në ditët e mira mendo për ditën e vështirë”. Me projektbuxhetin 2020 (para tërmetit), qeveria shpaloste vetëm një filozofi “ të ruajmë status quo”, pasi ndër rreshtat e tij lexohej qartë më shumë se kurrë përpjekja, deri diku e lodhur e saj, për të ruajtur parametrat fiskalë, të cilat u përkeqësuan gjatë viteve (2017-2019).

Për të përballuar kostot e tërmetit, pa rritur borxhin dhe pa rritur deficitin buxhetor për vitin 2020 (ky i fundit i parashikuar 1.9% e PBB), qeveria ka mundësi të rialokojë për rimëkëmbjen rreth 6 miliard lekë, ose rreth 57 milionë euro, që kishte planifikuar për investimet që do të fillonin rishtazi në 2020. Çdo lek më shumë i financuar nga buxheti ose do të çonte në pezullimin e investimeve publike në proces, ose do të çonte në rritje të borxhit dhe deficitit buxhetor, ose do të krijonte ato që qeveritë shqiptare i dashurojnë dhe nuk ngurrojnë t’i krijojnë në kohë vështirësish financiare, detyrime të prapambetura.

Për vende me hapësira fiskale të munguara, siç është rasti ynë, nga eksperienca botërore në përballimin e fatkeqësive nuk vijnë lajme të mira.

Kostot që kemi përballuar deri tani janë vetëm ndihma emergjente për popullatën e prekur. Këto kosto janë kostot më të vogla dhe zënë vetëm 1% të kostove totale.

Në mënyrë konvencionale do të mendonim që kostot e rindërtimit e infrastrukturës publike të pasiguruar përfshirë kostot e rindërtimin e banesave për strehimin e banorëve do të ishte pjesa e luanit. Por, programet e mbështetjes sociale dhe ekonomike për individët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për fermerët mund të jenë domethënëse. Në Japoni pas tërmetit të vitit 2011, programet e mbështetjes ekonomike dhe sociale (siç janë programet e punësimit, masat për të mbështetur ndërmarrjet e vogla edhe të mesme, grante për strehimin e përkohshëm dhe ndihma arsimore) kushtuan më shumë sesa riparimi dhe rindërtimi.

Por, lajmet e këqija nuk mbarojnë këtu. Pas një fatkeqësie natyrore pritet një ulje në të ardhurat buxhetore. Përmbytjet e vitit 2011 në Tajlandë ulën të ardhurat e qeverisë në 2011 dhe 2012, përkatësisht me 3.6 për qind dhe 2.8 për qind, bazuar në parashikimet para dhe pas përmbytjes.

Fatkeqësia natyrore mund të përshkallëzojë kostot e huamarrjes, veçanërisht për vende, të cilat janë në limitet e raportit të borxhit. Sipas statistikave, fatkeqësitë natyrore rrisin kostot e huamarrjes për vendet e prekura mesatarisht 1 deri në 2 për qind për deri në nëntë muaj pas një fatkeqësie (sipas Bankës Botërore 2012). Vitin që vjen është planifikuar një emetim tjetër Eurobondi nga qeveria shqiptare.

Të gjithë këto kosto do të rëndojnë mbi supat e buxhetit tonë, të cilin me optimizmin dhe lehtësinë e ditëve të mira e kemi trasformuar në buxhet me aftësi tejet të kufizuar për ditët e këqija. E vetmja shpresë mbetet ndihma e huaj.

Tërmeti i 26 nëntorit ka lëkundur perspektivat e zhvillimit afatgjatë të vendit, pavarësisht optimizmit të mirëkuptuar dhe të nevojshëm në oratorinë e qeverisë.

Por, optimizmi nuk duhet të na pengojë ta shkojmë realitetin në sy, si dhe të mendojmë si të përmirësojmë gatishmërinë financiare në kohë fatkeqësish natyrore. Politikëbërësit, pas kësaj fatkeqësie, duhet të investojnë në forcimin e aftësisë së financave publike, duke përdorur një grup instrumentesh të reja. Për këtë qëllim, qeveria mund të konsiderojë dy ide, të cilat mund të plotësojnë përpjekjet e vazhdueshme për të arritur qëndrueshmërinë financiare.

Ideja e parë është përfshirja e “klauzolave të lidhura me fatkeqësitë natyrore” në kontratat e reja të borxhit publik, të cilat të lejojnë një zgjatje të afatit në rast të një katastrofe natyrore. Sipas këtij opsioni, në varësi të strukturës së borxhit publik, ndodhja e një katastrofe natyrore mund të shtyjë për një periudhë të caktuar kohore pagesat e principalit ose interesin ose të dyjave. Kjo do të krijonte një hapësirë buxhetore në kohën e katastrofave natyrore, duke i krijuar një lehtësim të përkohshëm pa kosto shtesë buxhetit të shtetit, si dhe duke shtyrë vendimet për ristrukturimin e borxhit.

Ideja e dytë është sigurimi i borxhit në rast katastrofash natyrore. Qeveria mund të blejë sigurime për të mbuluar një shumë të caktuar të pagesave të shërbimit të borxhit pas katastrofave. Në këtë mënyrë, qeveria do të siguronte mbulim nga sigurimi për një “grup të paracaktuar detyrimesh të borxhit”, duke përfshirë pagesat e principalit, pagesat e interesit, ose të të dyjave. Struktura dhe mbulimi i saktë mund të përshtaten në bazë të nevojave specifike të vendit. Nëse ndodh një fatkeqësi, siguruesi do t’i paguante vendit shumën e paracaktuar për shërbimin e borxhit. Kjo do të krijonte më shumë hapësira buxhetore për përballimin e krizave pas fatkeqësive natyrore.

Ky opsion nuk kufizohet vetëm në lloje specifike të borxhit dhe mund të aplikohet për borxhin e ri dhe ekzistues, borxhet e jashtme dhe të brendshme, borxhe afatshkurtra ose afatgjata. Ky opsion kërkon që buxheti të financojë primet e sigurimeve. Për mbulimin e kësaj kostoje, donatorët ndërkombëtarë mund të luajnë një rol të rëndësishëm, duke ndihmuar qeverinë për të siguruar një mbulim të tillë sigurimesh.

Me ndryshimin klimaterik, katastrofat në gjithë botën pritet të intensifikohen. Gatishmëria financiare për t’i përballuar ato, është thelbësore. Shpresoj që ky tërmet të na ketë rikujtuar se çdo ditë ecim me pasigurinë përkrah, e cila edhe pse e padukshme, na shoqëron në çdo frymëmarrje. Në emër të së ardhmes, duhet të “akomodojmë sot pasiguritë”, pasi e ardhmja shkruhet nëpërmjet veprimeve që ndërmarrim sot.


Komente