Humbja e dytë radhazi, një në derbi me Inter dhe tjetra në Europa League, janë shumë për një ekip si Milan. Kuqezinjtë duket se edhe këtë sezon vuajnë nga të njëjtat simptoma me ato të vitit të shkuar, ku luanin mirë, por rezultatet mungonin. Që prej fillimit të sezonit me nisjen e ngadaltë dhe me një marsh më pak se rivalët, te Milan ka pasur gjithmonë një çështje, largimi i trajnerit Xhenaro Gatuzo.
Disa rezultate të mira në javët e fundit dhe një lojë të rritje për disa javë, ndryshuan ajrin në Milanelo. Gatuzo po ndjehej më i fortë, pasi në krahun e tij kishte fitoret rresht në kampionat dhe në Europa League. Skuadra e tij kryesonte grupin dhe deri këtu çdo gjë shkonte mirë në Serie A. Por u desh një humbje në minutën e fundit me Inter dhe disfata nga Real Betis në Europa League këtë të enjte, që atmosfera në klubin kuqezi të përmbysej.
Mediet italiane tashmë kanë filluar të flasin për largimin e Gatuzos, për të cilin thuhet se i ka dalë situata nga kontrolli. Dy ndeshjet e ardhshme do të jenë vendimtare për fatin e teknikut 40-vjeçar, që ende nuk e ka mbushur një vit në drejtimin e Milan. Atij do i duhet me çdo kusht fitorja me Sampdoria këtë fundjavë në Serie A dhe gjithashtu e njëjta gjë me Real Betis të enjten e ardhshme. Në rast të kundërt, sipas gazetave italiane është i sigurt shkarkimi i tij. Drejtuesit e Milan nuk do të rrezikonin që të qëndronin edhe një vit tjetër larg Champions League, duke parë edhe ecurinë që kanë ekipet e tjera rivale.
Që prej disa ditësh kanë filluar të përfliten emrat e parë që do të uleshin në stolin e Milan për t’ia zënë vendin Gatuzos. Roberto Donadoni është i pari në këtë listë dhe shikohet si njeriu ideal për ta nxjerrë Milanin nga kjo gjendje ku është futur. Sipas një raporti të GdS, Gatuzo ka humbur edhe mbështetjen e Paolo Maldinit, që deri para pak kohësh ishte konsideruar si njeriu që po e mbante atë në drejtimin e skuadrës. Vetë Gatuzo pas humbjes me Real Betis mbrëmjen e së enjtes deklaroi se nuk i intereson shumë stoli i tij, por ecuria e skuadrës.
“Nuk e kuptoj pse lojtarët kanë frikë të marrin përgjegjësi. Përpara ndeshjes i përgëzova për atmosferën në dhomat e zhveshjes. Brenda në Milanelo dhe gjatë stërvitjeve humori është shumë i mirë dhe jemi të bashkuar. Ajo që ndodh jashtë është diçka tjetër. Nuk dalloj pesimizëm dhe mërzi te lojtarët. Jam shumë i shqetësuar, i mërzitur dhe i zhgënjyer, me lojtarët, por më shumë me veten.”- ka thënë Gatuzo mbrëmjen e së enjtes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.