Një mbiemër, dy lojtarë. Lacio po vlerëson profile të ndryshme lojtarësh për të përforcuar skuadrën në merkaton e dimrit. Dy lojtarët e fundit që kanë përfunduar në bllokun e Igli Tares, drejtorit sportiv të kësaj skuadre, janë Albert dhe Gabriel Gudmundson, respektivisht 24-vjeçari i AZ Alkmarit dhe 22-vjeçari i Lilës.
Duhet saktësuar se pavarësisht se kanë të njëjtin mbiemër, këta dy lojtarë nuk kanë asnjë lidhje familjare dhe madje nuk janë as nga i njëjti vend.

Albert Gudmundson është një sulmues anësor, me vlerë rreth 5 milionë euro. Atij i përfundon kontrata në qershor dhe mund të bashkohet me Lacion edhe për një shifër më të ulët. Në kampionatin holandez ka shënuar 4 gola në 17 ndeshje. Ai luan me kombëtaren e Islandës dhe ka marrë pjesë edhe në Botërorin e Rusisë, ku luajti ndaj Kroacisë. Luan në të dy krahët, edhe pse këmbën e preferuar ka të majtën.
Mbetet përparësi për Taren edhe ajo e mbrojtësit të majtë dhe për këtë rol ai po ndjek suedezin Gabriel Gudmundson. Në verë kaloi nga Groningeni te Lila për 6 milionë euro, por në Francë nuk është përshtatur mirë, ka luajtur vetëm 2 ndeshje si titullar. Ka kontratë me Lilën deri në 2026-ën, por mund të largohet më parë.
Dy Gudmundsonët e piketuar nga Tare nuk do të ishin dy omonimët e vetëm te Lacio, ku janë edhe Felipe dhe Andre Anderson, edhe ata pa lidhje familjare me njëri-tjetrin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




