Gazeta Si – Përafërsisht 400 pasagjerë në dy fluturime të kompanisë “Wizzair” me destinacion Tiranën nga Bolonja dhe Bergamo, zbarkuan në Aeroportin e Brindisit në orën 3:00 të mëngjesit më 7 janar për shkak të motit të keq në aeroportin shqiptar.
Sipas mediave italiane, ky devijim i detyruar emergjent, shkaktoi një protestë, e cila u nxeh gjithnjë e më shumë ndërsa orët kalonin pa marrë asnjë lajm.
Një grup i madh udhëtarësh hynë me forcë nëpër porta, thyen kordonet e sigurisë dhe pushtuan pistën.
Kjo situatë e rrezikshme nxiti ndërhyrjen e policisë së aeroportit, e cila ka rikthyer normalitetin, megjithëse pasagjerët janë ende të pasigurt nëse ose kur do të vazhdojë udhëtimi i tyre, apo nëse do të duhet të kthehen.
Protesta është ende duke vazhduar dhe dhjetëra pasagjerë ende protestojnë, duke kërkuar riatdhesim të menjëhershëm në Shqipëri.
Ata ndodhen vetëm pak metra larg dy avionëve të bllokuar në Brindizi. Të tjerë kanë pranuar ofertën e linjës ajrore për të marrë një autobus zëvendësues për në Fiumicino dhe më pas për të hipur në një fluturim për në Tiranë.
Po shqyrtohet gjithashtu mundësia që 150 pasagjerë të arrijnë në Shqipëri me një traget që niset nga Brindizi këtë pasdite dhe që shkon në Vlorë.
Aeroporti po monitorohet nga policia, karabinierët dhe oficerët e Guardia di Finanza për të parandaluar probleme të mëtejshme të rendit publik. Deri më tani, protesta nuk ka shkaktuar vonesa në fluturimet që mbërrijnë ose nisen nga Brindizi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




