Politike

Debati në Parlament, Holanda, “delja e zezë” e hapjes së negociatave për Shqipërinë

Holanda nuk mendon se në Shqipëri është bërë një progres domethënës për të ndryshuar qëndrimin e shprehur në muajin qershor sa i takon hapjes së negociatave të anëtarësimit. Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Çështjet Europiane në Parlamentin holandez, ministri i Jashtëm, Stef Blok e bëri të qartë këtë.

Blok iu përgjigj interesit të ligjvënësve holandezë mbi qëndrimin që do të mbajë Qeveria në lidhje me vendimin që do të merret në tetor për çështjen e negociatave. Në përgjigjet e dhëna, kryediplomati holandez shprehu qëndrimin e qeverisë që përfaqëson se duhet të ketë një ndarje të procesit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sa i takon Shqipërisë, Blok nuk vëren ndonjë ndryshim në krahasim me muajin qershor.

“Unë mendoj që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të trajtohen të ndara, sepse janë dy vende të ndryshme me probleme të ndryshme dhe progres të ndryshëm. Mendoj gjithashtu se niveli i progresit në Maqedoni është qartësisht më i lartë se ai në Shqipëri. Marrëveshja me Greqinë mbi çështjen e emrit në vetvete është një progres i madh”, deklaroi Blok.

Porosia holandeze për Maqedoninë është vetëm adoptimi i ligjit për forcimin e pavarësisë së prokurorisë, që Stef Blok e cilësoi si një çështje burokratike. Për Shqipërinë, Holanda ndan mendimin se vendi nuk ka plotësuar pesë kushtet e vendosura në qershor të 2018.

“Shqipëria është një histori tjetër. Unë mendoj që Shqipëria duhet të përmbushë njëherë këto kushte për të hapur negociatat”, deklaroi Blok.

Në procesverbalin e zbardhur të mbledhjes, ligjvënësit holandezë pyesin ministrin e Jashtëm nëse me qëndrimin për të bllokuar negociatat për Shqipërinë, Holanda rrezikon të shndërrohet në “dele të zezë” të zgjerimit, duke u bërë i vetmi vend i BE-së që del kundër Tiranës. Blok mendon se jo.

“Në mbledhjen e fundit të Këshillit Europian, Holanda, Franca dhe Danimarka ishin vendet që ruajtën këtë pozicion. Unë mendoj se varet nga vendet anëtare se çfarë qëndrimi do të mbajnë, por unë deri më tani nuk kam asnjë sinjalizim që Holanda do të jetë e vetmuar në këtë vendim”, shtoi Blok.

Ministri i Jashtëm holandez shtoi se deri më tani në adresë të tij nuk ka patur asnjë ndërhyrje nga vendet e tjera të BE-së për këtë çështje. Por, duhet thënë se debati në fjalë është zhvilluar para vendimmarrjes së Gjermanisë dhe mbetet për t’u parë nëse votimi në Bundestag do të ndikojë në vendimmarrjen holandeze për këtë temë.

Dy eurodeputetë holandezë “të shqetësuar” nga klandestinët shqiptarë

Vendimi i Bundestagut gjerman është një derë që ka nisur të hapet për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Tani mbetet për t’u parë nëse sinjali i dhënë nga Berlini do të mirëpritet edhe në Paris dhe sidomos në Amsterdam.

Eurodeputetja holandeze, Caroline Nagtegaal van Doorn. Gazeta Si, 27 shtator 2019

Vendimmarrja e Francës ka më pak burokraci. Ajo është në dorë vetëm të Presidentit Emmanuel Macron dhe nuk përjashtohet mundësia që nën shembullin e gjermanëve, Presidenti francez të vendosë të tjera kushte. Një prej tyre mund të jetë ndalimi i fluksit të azilkërkuesve, shqetësim që e ngriti së fundmi.

Në Holandë vendimmarrja është më komplekse dhe ashtu si në Gjermani, qeveria vendase duhet të marrë dritën jeshile nga Parlamenti vendas. Ky parlament pritet që të mblidhet në ditët e ardhshme për të vendosur mbi këtë temë, ndërkohë që kësaj mbledhjeje i paraprin një shqetësim i ngritur nga dy eurodeputetë holandezë të Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci.

Caroline Nagtegaal van Doorn dhe Malik Azmani, ky i fundit me origjinë marokiene, kanë ngritur shqetësimin pranë Komisionit Europian mbi atë që e quajtë fluks të pashoq të emigrantëve të parregullt shqiptarë në portet e Europës, sidomos në ato holandeze.

Eurodeputeti holandez, Malik Azmani. Gazeta Si, 27 shtator 2019

“Gjithnjë e më shumë emigrantë të parregullt shqiptarë dynden në portet e Bashkimit Europian që i përdorin si rrugëkalimi për në Britaninë e Madhe, siç është edhe porti i Roterdamit në Holandë. Pavarësisht bashkëpunimit mes vendeve të BE-së dhe operacioneve të autoriteteve, shumë emimgrantë bien pre e trafikantëve, duke u përfshirë në aktivitete të paligjshme dhe në disa raste edhe duke vdekur në përpjekje për të arritur në Britaninë e Madhe”, thuhet në letrën që dy eurodeputetët i kanë dërguar Komisionit më datë 12 shtator.

Letra shoqërohet me tre pyetje pasuese. Në të parën, eurodeputetët holandezë kërkojnë të informohen mbi fushatat mediatike në televizione, gazeta, media elektronike dhe rrjetet sociale në Shqipëri, që kanë patur synim parandalimin e emigracionit të paligjshëm.

Së dyti, Caroline Nagtegaal van Doorn dhe Malik Azmani kërkojnë të informohen nëse fushatat e mësipërme informuese ua kanë bërë të qartë qytetarëve shqiptarë mbi pasojat ligjore të emigracionit të paligjshë, përfshirë faktin që mund t’u ndalohet hyrja në BE nëse kapen, apo më keq që u rrezikohet jetë gjatë udhëtimeve klandestine?

Në fund, eurodeputetët holandezë kërkojnë të dijnë nga Komisioni nëse merr pjesë, monitoron apo raporton në Bruksel përpjekjet e autoriteteve shqiptare përmes fushatave informuese për të parandaluar emigracionin e paligjshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë