Politike

Dy ditë para 25-vjetorit të Çlirimit, Rama në Kosovë. Takon Osmanin dhe shpotit Kurtin: Jemi të vegjël, s’bëjmë dot pa aleatët. Kosova t’i tregojë ‘targën’ Serbisë

Dy ditë para ceremonisë zyrtare të çlirimit të Kosovës, Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot (e hënë), një vizitë në Prishtinë, pikërisht me këtë rast. Festimet në Kosovë kanë nisur nga sot deri me 13 qershor.

Në nisje të vizitës me rastin e 25 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s, Kryeministri Rama po zhvillon një takim kokë më kokë me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Si shihet edhe nga fotot e para takimit, ai ishte i shoqëruar edhe nga ish Kryeministri Italian Massimo D'Alema dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Ndërkohë, Osmani ka publikuar disa fotografi gjate takimit me Ramen, ku ka shkruar se janë bashkë për t’i shënuar momentet më të rëndësishme të historisë.

“Bashkë, për t’i shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë! Mirë se erdhe, kryeministër Rama!”, shkroi Osmani.

Më pas, Kryeministri Rama mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, dedikuar këtij përvjetori, që mbahet në nderim të trashëgimisë politike të Presidentit Rugova, si dhe të vendeve aleate, të cilat patën një rol thelbësor gjatë viteve të luftës në Kosovë.

Kryeministri Rama iu adresua një prej paneleve të Konferencës ishte i rreshtuar bashke me ish Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair dhe ish Kryeministrin Italian Massimo D'Alema.

Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitet, Kryeministri Edi Rama nuk e përmendi me emër Albin Kurtin, por solli si shembull për ta shpotitur Ibrahim Rugovën kur tha se, “sa të vegjël jemi pa mbështetjen e miqve dhe aleatëve të mëdhenj”.

“Është shumë për të qarë hallin sot që pas kaq shumë vitesh duket sikur Rugova mbetet i vetmi në këtë shtet që e dinte se të kesh paqe të plotë s’do të thotë thjesht të arrish në mungesë konflikti, por të vendosësh një drejtësi afatgjatë brenda dhe tej kufijve. Rugova kishte kuptuar dhe e gjithë rruga e tij e rrezaton këtë, edhe një të vërtetë që shumëkush sot e gëlltit me vështirësi ose refuzon fare që ta gëlltisë të vërtetën se për të realizuar një drejtësi afat gjatë, asnjë popull nuk është i vetëmjaftueshëm, nuk vlen bindja e atyre që na ndjek me fanatizëm nuk vlen asnjë lek nëse nuk arrijmë të bindim edhe kundërshtarët. Udhëheqja në kërkim të paqes së plotë, matet nga mjeshtëria për të ndërtuar metër pas metri urat e bashkëpunimit. Ibrahim Rugova na kujton që sado të mëdhenj dhe të mbështetur të jemi nga njerëzit tanë, mbetemi një popull i vogël në dy shtete të vegjël që siç thonë ju në Kosovë ‘nuk kemi qare’ pa miqtë dhe aleatët e mëdhenj.

Ai ua njihte mirë shqiptarëve si vuajtjet dhe krenarinë, duke kuptuar si askush tjetër se dallimet politike mes dy shteteve janë një gjë dhe fatet e përbashkëta të një kombi janë një krejt tjetër. Ai vinte nga shtrati i kulturës dhe ishte një lexues i shpirtit të kombit dhe kuptonte se ai shpirt i kombit qëndron mbi kulturën e traditat e veta. Ai ishte i bindur se dialogu ndërkulturor i shërbente një themeli të përbashkët të një historie dhe besonte në demokracinë perëndimore. E dinte shumë mirë se pas gjakhumbjes vjen paqja. Madhështia e tij qëndron në faktin se paqen e plotë nuk e shihte si poshtërim të të mundurve, por si ngadhënjim të të porsalindurve. Gjatë sëmundjes kishte vetëm një pishman, siç më kanë thënë miqtë e tij të afërt…”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama e ka kritikuar shpesh homologun Kurti për politikën e tij të jashtme se e shfrytëzon për politikë të brendshme.

“Kosova është shumë e bukur. I ka të gjitha mundësitë. Nuk ka pse të humbë kohë duke vrapuar rreth vetes së vet. I ka të gjitha ato që i duhen, partnerët, aleatët miq që i duhen, ka talente, energji thjesht duhet t’i tregojë ‘targën’ .. dmth kur ikën  makina përpara) – ti tregojë targën Serbisë, e të ikë përpara e Serbia të bëjë ctë dojë nuk mund të mbahet fati i Kosovës me interesat apo pafuqinë e Serbisë për tu përballur me të shkuarën e vet”, tha Rama në panelin e parë të Konferenca Ndërkombëtare për 25 Vjetorin e Ndërhyrjes së NATO-s "Rugova dhe Perëndimi'.

Në vijim të agjendës, Kryeministri Rama do të mikpritet nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me Çelësin e Qytetit.

Kryeministri Rama do të marrë pjesë gjithashtu edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan.

10 qershori i vitit 1999 shënon fundin e luftës në Kosovë dhe tërheqjen e trupave serbe, pas 78 ditë bombardimesh ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas së cilës në Kosovë u dërguan trupat paqeruajtëse të KFOR-it nga 36 vende.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë