Nga Gazeta Si- Kortezhi i kryepeshkopit Anastas është nisur paraditen e sotme nga Katedralja e Athinës drejt Shqipërisë dhe pritet të mbërrijë ditën e nesërme.
Pesë ditë zie kishtare janë shpallur në mbledhjen e Sinodit, nga data 25-29 janar 2025. Në ditën e parë të zisë kishtare për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas, në katedralet “Ngjallja e Krishtit”, në Korçë, Gjirokastër dhe Durrës u mbajtën shërbesat e përshpirtjes. Dhjetëra besimtarë u lutën dhe ndezën qirinj për prehjen e shpirtit të Kryepeshkopit Anastas.
Në një njoftim, Kisha Ortodokse Autoqefale shkruan se pritja e trupit të Kryepeshkopit të ndjerë Anastas do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, të martën, datë 28 janar, në orën 16:00.
Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, të mërkurën me datë 29 janar për këdo që dëshiron ti japë lamtumirën e fundit.
Ndërkohë, shërbesa e varrimit do të kryhet ditën e enjte, me datë 30 janar në orën 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.
Edhe pse ende nuk ka një njoftim zyrtar, mediat greke shkruajnë se varrimi do të bëhet në një kript të veçantë poshtë altarit të katedrales që është përgatitur nga vetë i ndjeri Kryepeshkopi Anastas.
Në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë dhe patriarkë nga kishat ortodokse në botë. Gjithashtu edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, do të jetë i pranishëm në ceremoninë e varrimit të kryepeshkopit Anastas Janullatos në Tiranë.
Kryepeshkopi i Shqipërisë, Anastas Janullatos ndërroi jetë në moshën 95-vjeçare në një spital në Athinë. Ai mbylli sytë përgjithmonë si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve, ndërsa ndodhej prej javësh nën kujdesin e mjekëve në spital.
Anastas Janullatos u zgjodh Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga Patriku i Kostandinopojës në janar të vitit 1991, ku punoi për rilindjen e kishës që ishte shkatërruar gjatë 40 viteve persekutimi nga regjimi komunist. Ai ia dedikoi jetën rindjezes së shpirtit misionar të Kishës Ortodokse dhe pas më shumë se 30 vitesh në Shqipëri, duket se ai e arriti qëllimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.