Gazeta Si – Vatra e zjarrit në pyllin me pisha në Pishporo të Fierit vazhdon për të dytën ditë me radhë. Sipas shefit të shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Fier, Zija Hyka, përgjatë gjithë natës në terren ka qëndruar në gatishmëri një efektiv i plotë zjarrfikësish për të mos lejuar përhapjen e flakëve drejt zonës së banuar.
Mëngjesin e kësaj të premteje, pranë vatrës së zjarrit ndodhen 4 mjete zjarrfikëse, forca mbështetëse të bashkisë, 9 punonjës të AZM dhe 40 forca të armatosura të repartit të Poshnjes për të neutralizuar perimetrin e zjarrit.
Gjatë orëve të vona të mbrëmjes është riaktivizuar edhe një vatër zjarri me Darëzezë, e cila është neutralizuar falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve zjarrfikëse.
Zjarri u riaktivizua mesditën e së mërkurës dhe vijon të jetë aktiv, teksa i favorizuar nga era e fortë ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e mbrojtur të pyllëzuar me pisha.
Gjatë dy ditëve betejë me flakët është kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga ajri, gjë që nuk është realizuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.