Politike

Dy çështjet ku u rrotullua dëshmia e Erion Veliajt për incineratorët

Anëtarët e Partisë Demokratike në Komisionin Hetimor Parlamentar e kanalizuan të gjithë dëshminë e Erion Veliajt para tyre rreth dy çështjeve; shkresës së kryebashkiakut të Tiranës për miratimin e koncesionit të Sharrës dhe detyrimit të ndërtuesve për depozitimin e dherave në këtë incinerator.

Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, duke cituar pjesë nga dëshmia e ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku i kërkoi kreut të Bashkisë së Tiranës që t’i vendosë në dispozicion të Komisionit vendimin e Këshillit Bashkiak që detyron ndërtuesit që të depozitojnë te incineratori i Tiranës dherat që zhvendosin për hapjen e themeleve të pallateve.

Erion Veliaj tha se depozitimi i dherave në Sharrë nuk ka nevojë për vendim të Këshillit Bashkiak, pasi siç u shpreh ai është një marrëdhënie kontraktuale mes privatëve, ku nga njëra anë është incineratori i Tiranës dhe nga ana tjetër janë kompanitë e ndërtimit.

Një javë më parë, në lidhje me këtë detyrim ka dëshmuar para Komisionit, kreu i Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi. Ai tha se bashkia u bënte presion me lejet e ndërtimit. “Nuk japin leje ndërtimi nëse nuk shkojmë të nënshkruajmë marrëveshje me kompaninë koncesionare”, tha Aleksi.

Sipas tij, tarifa që ndërtuesit i paguajnë incineratorit për një ton është 350 lek. Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku tha gjatë dëshmisë së kryebashkiakut Veliaj se ai kishte krijuar një monopol për depozitimin e dherave me vlerë 45 mln euro për incineratorin.

Çështja e dytë ku u përqëndrua dëshmia e kryebashkiakut Veliaj lidhej me shkresën që ai ka dorëzuar në emër të Bashkisë së Tiranës me 27 mars 2017, ku shprehet parimisht pro ndërtimit të incineratorit në Sharrë.

Sipas deputetëve të opozitës, me këtë shkresë, kryebashkiaku i Tiranës ka marrë kompetencat e Këshillit Bashkiak dhe më e pakta që ka bërë ka shpërdoruar detyrën.

Veliaj tha se shkresa nuk është miratim, por shprehje parimisht pro këtij dhe se Këshilli Bashkiak është shprehur për këtë koncesion në shtator po të atij viti, kur ka miratuar buxhetin afatmesëm.

Por, deputeti i PD, Belind Këlliçi e interpretoi ndryshe shkresën e muajit mars. Ai tha se shkresa ishte miratim dhe këtë e provon fakti, sipas tij, që kontrata koncesionare është firmosur më 31 gusht të 2017, pra ende pa u mbledhur Këshilli Bashkiak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë