Dy PD-të e kanë parë ndryshe nga njëra tjetra zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. Ajo e drejtuar nga Sali Berisha ka atakuar gjithë SPAK ndërsa pjesa tjetër e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka qenë më e tërhequr duke kërkuar që kreu i SPAK të qëndrojë mbi politikën.
“Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK u njollos që në nisje të saj dhe si i tillë është i pabesueshëm.
Përplasja për drejtuesin e SPAK mes Yuri Kim dhe Edi Ramës nuk është shenjë se drejtësia është e pavarur, por se ajo është kapur.
SPAK ka pasur mjaftueshëm kohë për t’i dhënë prova publikut të kundërtën duke konsumuar mandatin e një drejtuesi.
Prej krijimit të saj SPAK ka patur në dorë dhjetëra skandale, të cilat ose janë hetuar nga bishti ose nuk janë prekur fare.
Një ‘pallat drejtësie’ në korridoret e të cilit shkon për të bërë ekskursione dhe për të dhënë direktiva kryeministri dhe një ambasadore që bën rolin e guvernatores, nuk është as i pavarur, as i lirë dhe as i ndarë nga pushteti ekzekutiv, siç e kërkon një demokraci normale dhe funksionale.
Me këto fakte të pakundërshtueshme, SPAK është thjeshtë një seksion i Partisë Socialiste”, thuhet në deklaratën e PD që është shoqëruar pa zë zyrtar.
“Kujtojmë se SPAK nisi punën para 2 vitesh duke shpallur moskompetencën për dosjet famkeqe të blerjes së votave nga qeveritarët e lidhur me krimin ato 184 dhe 339 të cilat më pas ia përcolli Prokurorisë së Dibrës.
SPAK nuk hetoi krimin zgjedhor, i cili ne 9 vitet e fundit ka përcaktuar strukturën e shtetit.
Me këtë akt SPAK dëshmoi se është vetëm një bisht i i diskretituar i qeverisë.
SPAK po përdoret në mënyrë antiligjore, anikushtetuese për gjah ndaj opozitës dhe shënon kapjen dhe dështimin e plotë të reformës sorosiane të drejtësisë në Shqipëri”, thuhet në deklaratë. Nga grupi i Alibeajt përkundrazi ka pasur një zë reagues
“Për shkak të garancisë së SHBA, ligji për strukturën e SPAK-ut është i vetmi nga paketa e Reformës në Drejtësi, i miratuar me konsensus PS-PD. (1/3)
Edhe pse ende SPAK-u nuk është në lartësinë e pritshmërisë së shqiptarëve për t’i dhëne fund pandëshkueshmërisë në nivele të larta të qeverisjes, ai duhet të mbështetet të ecë përpara dhe të qëndrojë jashtë kontrollit të politikës.
Lufta reale pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet e vetmja shpresë që vendi të ecë përpara dhe shqiptarët të jetojnë si europianë të vërtetë”, shkruan Gazment Bardhi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




