Në një bashkëbisedim virtual të realizuar për herë të parë me banorë të Gjirokastrës për rreth tre orë, kryeministri Edi Rama duke folur për shumëçka njoftoi se këto ditë pritet të shpallet fituesi i garës ndërkombëtare për aeroportet Vlorë dhe Kukës.
Sipas tij, ky proces u shoqërua me vonesa për shkak të situatës me pandeminë.
“Shpresoj që këto ditë të kemi fituesin e garës ndërkombëtare që u bë si legjenda e Rozafës, pandemia, hapje-mbyllje, kredia, etje. Këtu në Gjirokastër bëhet fjala për dy aerodrome, që do të jenë turistike”, tha Rama.
Rama tha se ka ende punë për të bërë.
“Distanca nuk na pengon që të kemi një bashkëbisedim të hapur dhe me ato që quhen ‘pyetje të vështira’ për qeverinë, pasi në fund të fundit ky është qëllimi i këtij bashkëbisedimi dhe do të kisha mirënjohje për ata që bëjnë pyetje.
‘Në mënyrë që jo vetëm të japim nga ana jone shpjegime mbi atë se çfarë po kalojmë, nga vijmë dhe ku duam që të shkojmë. Por edhe në mënyrë që të mund të sqarohemi për një pikë me rëndësi, që qeveria nuk ka një shkop magjik.
Ajo çka na duhet është që të punojmë pa u ndalur dhe të rezistojmë me durim përballë vështirësive, përballë pengesave të trashëguara, apo atyre të papriturave që na dalin, siç kanë qenë dy goditjet e mëdha, tërmeti dhe pandemia.
Tërmeti na vuri përballë mbrojtjes së jetës. Unë hyj tek të pakënaqurit, pasi mendoj se ka shumë ende për të bërë, pasi koha nuk pret në sensin e viteve që kalojnë dhe se çfarë kemi bërë nuk vlen për të kërkuar që njerëzit të jenë të lumtur. Por kjo vlen vetëm për të kuptuar se rruga është e duhura, drejtimi është i duhuri dhe duhet të këmbëngulim e të vazhdojmë drejt.”, tha ai.
Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama komentoi gjithashtu programin ekonomik të Partisë Demokratike.
“PD mund të rris pensionet sa hap e mbyll sytë, madje të ul sigurimet dhe të rris pensionet. Duke ulur prodhimin e qumështit, duke rritur prodhimin e djathit. Ka një formulë se si mund të ndodhi kjo. Ai që të jepet për djathë, në fakt është sapun. Kush ta marri ta marri, kush ta hajë ta hajë, Po e hëngri shumica, ‘fiton Shqipëria”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.