Gazeta Si – Me pretendimin se nuk i pëlqyen kushtet dhe nuk paguan për ditët e rezervimit online në banesën ku duhej të pushonin në këto ditë të nxehta vere, pronari i apartamentit së bashku me një tjetër person mbajtën peng për rreth 45 minuta, 4 pushues nga Kosova.
Ngjarja ndodhi në lagjen Nr. 3 të Durrësit dhe u denoncua nga vetë pushuesit kosovarë. Policia tha se në pranga u vunë dy persona, pronari i shtëpisë, Dritan Kuçaj 48 vjeç dhe Nexhmi Xhili 49 vjeç.
Gjatë marrjes në pyetje, turistët deklaruan se u mbajtën peng në garazhin e shtëpisë së pushimit pas debatit për pagesën.
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë hequr lirinë përreth 45 minuta, duke i mbajtur në garazhin e banesës, katër shtetasve nga Kosova, të cilët ishin akomoduar për pushime në një shtëpi pushimi në pronësi të shtetasit Dritan Kucaj, me pretendimin se nuk kishin kryer pagesën për akomodimin”, thuhet në një njoftim të policisë së Durrësit.
Ngjarja është regjistruar në lagjen nr 13 në Durrës, por policia nuk jep informacion kohën se kur ka ndodhur.
Shtetasit nga Kosova kishin bërë rezervim online, por kur kanë ardhur në Durrës dhe kanë shkuar për të parë apartamentin që kishin rezervuar, kanë qenë të pakënaqur me kushtet prandaj kanë vendosur të largohen.
Në momentin kur kanë hyrë në garazhin e pallatit të apartamentit që kishin rezervuar online, kanë nisur të debatojnë me pronarin e apartamentit, Ditan Kuçaj, por dhe me një person të dytë, Nexhmi Xhili.
Këta të fundit i kanë kërkuar të paguajnë për ditët që kanë rezervuar, edhe pse nuk do të qëndronin, por shtetasit kosovarë kanë kundërshtuar.
Atëherë pronari ka vendosur t’i mbyllë në garazh. Ka dalë jashtë dhe ka mbyllur derën me pult. Shtetasit nga Kosova kanë marrë në telefon policinë dhe kanë kërkuar ndihmë. Ndërhyrja e tyre ka bërë që ata të lirohen, ndërsa Ditan Kuçaj dhe Nexhmi Xhili u arrestuan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



