Gazeta Si – Tre persona janë shpëtuar nga mbytja në Durrës, pasi peshkarexha e tyre u fundos në det, ku dyshohet se u godit nga një traget.
Ngjarja ka ndodhur në mesnatë rreth orës 00:05, pranë fenerit, ndërsa alarmi u dha nga familjarë e shqetësuar të peshkatarëve, pasi kishin humbur kontaktet me ta para se të jepej alarmi SOS.
Përplasja me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, shkaktoi çarje të peshkarexhës ndërsa peshkatarët, dy durrsakë dhe një egjiptian arritën të braktisin në kohë anijen ‘Elton 1”, që po fundoste në ujë, duke përdorur një zader, mjet i vogël shpëtimi.
Në ndihmë të tyre shkuan Policia Kufitare me mjetin lundrues, GDF-ja dhe roja bregdetare. Mbërritja në kohë e mjetit lundrues të Policisë Kufitare shpëtoi 3 personat që ndodheshin në det, pasi peshkarexha e tyre ishte fundosur.
Ata janë kapiteni S.A. 54 vjeç dhe pjesëtarët e bordit K. K. 30 vjeç dhe M. E. 50 vjeç, të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Rajonal Durrës, për ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, dyshohet se peshkarexha është goditur nga një traget, i cili ka pezulluar lundrimin.
Incidenti detar ka ndodhur rreth 4 milje larg portit të Durrësit, në hapësirën detare. Peshkarexha “Elton 1”, ka qenë duke u kthyer nga gjuetia, ndërsa trageti po lundronte drejt Barit. Të dyja palët kanë pretendime ndaj njëra-tjetrës, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin më tej incidentin.
Menjëherë ata u dërguan në spitalin e Durrësit, për të bërë kontrollet e nevojshme shëndetësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




