Ngjarje

Për 1 nxënës më pak u hoq oficerja e sigurisë në shkollë. Protesta e prindërve dhe lajmi në media e rikthen në detyrë

Nga Gazeta Si- Prindër e nxënës të Shkollës Artistike “Jan Kukuzeli " në Durrës janë revoltuar ditën e sotme pasi kanë marrë njoftimin se është hequr nga puna oficerja e sigurisë.

Shkak për këtë vendim është bërë numri i pamjaftueshëm i nxënësve në arsimin e mesëm, me vetëm një nxënës më pak.

Në këtë shkollë mësojnë fëmijë nga fillorja, 9-vjeçarja deri te cikli i mesëm. Në total janë 324 nxënës, prej tyre 79 në të Mesmen. Duhet të ishin 80 nxënës që sipas ligjit të funksiononte oficeri i sigurisë.

"Dje patëm një mbledhje me drejtoreshën e prindërit e na u njoftua për shtim të sigurisë në shkolla, por na u njoftua edhe se kishte ardhur një email për largimin e oficeres së sigurisë.

Prindërit ishin shumë të shqetësuar dhe të frikësuar për mungesën e sigurisë në shkollë, sidomos pas ngjarjes së fundit ku u vra një nxënës disa metra larg shkollës në Tiranë.

“Është shqetësuese. Është folur ditët e fundit për shtim të sigurisë në shkolla ndërkohë ne na u njoftua se do të hiqet oficerja e sigurisë, kjo në mungesë të një nxënësi në gjimnaz. Unë kam frikë të sjell fëmijët pa një oficer sigurie. Do bëjmë peticion. Unë nuk dua të pres në momentin që të ndodhë një tragjedi. Dua ta parandaloj”, tha një nga prindërit.

Përmes një peticioni, prindërit i kërkuan Drejtorisë Arsimore dhe Ministrisë së Arsimit rikthimin e oficeres së sigurisë, duke theksuar se fëmijët e tyre nga mosha 6 deri ne 17 vjeç, mësojnë në ambiente të përbashkëta.

Disa orë pasi lajmi u përcoll në media sot, Drejtoria Arsimore vendosi të rikthejë në detyrë oficeren e sigurisë në shkollë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë