Gazeta Si – Një debat banal me kamerierin për një kafe ka përfunduar me dy të vrarë me armë zjarri në Manëz të Durrësit.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë lokalit në brendësi të një karburanti rreth orës 01:45 pas mesnate, ku 33-vjeçari Flori Paluçi ka vrarë me armë zjarri 23-vjeçarin Aranit Kurti. Më pas, ndaj 33-vjeçarit ka qëlluar një 21-vjeçar, Daniel Pepa, duke lënë të vdekur Paluçin.
21-vjeçari është shpallur në kërkim, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të zbardhur rrethanat dhe identifikuar nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë.
Burime nga policia bëjnë me dije se sherri ka nisur në një lokal, ku të dyja palët konfliktuese kanë qenë prezente.
Flori Paluçi bashkë me një tjetër i ka kërkuar kamerierit që t’i bëjë një kafe, por ky i fundit u ka thënë se ekspresi është i fikur. Këtu ka nisur një debat me kamerierin dhe Aranit Kurti ka ndërhyrë në mbrojtje të kamerierit.

Dinamika e ngjarjes
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ka qenë personi i shpallur në kërkim, Daniel Pepa, ai i cili së bashku me njërin prej viktimave, Aranit Kurtin kanë shkuar në lokal pas mesnate.
Pepa i ka kërkuar kamerierit të lokalit që t’i bënte një kafe dhe ai i është përgjigjur që ekspresi ishte i fikur dhe se nuk mund t’ia bënte.
Më pas sipas informacioneve, Pepa ka këmbëngulur që kamerieri ta ndezë ekspresin duke përdorur edhe fjalë fyese në drejtim të tij.
Aty ka ndërhyrë Flori Paluçi, i cili i ka thënë që “ti nuk mund ta fyesh pasi kamarieri është ulur në tavolinë me mua”.
Duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, pas këtij momenti kanë nisur debatet verbale mes tyre që kanë degjeneruar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Sipas dinamikës paraprake, i pari që ka qëlluar është Flori Paluçi, i cili ka vrarë Aranit Kurtin dhe më pas shoku i tij, Daniel Pepa ka qëlluar duke lënë të vrarë Paluçin.

Shërbimet e Policisë kanë njoftuar se po kryejnë kontrolle intensive në zonë për kapjen e të dyshuarit Daniel Pepa, i cili është shpallur në kërkim.
Në polici, kamerieri ka thënë se Daniel Pepa dhe Araniti kanë shkuar në lokal rreth orës 1-1.30 dhe kanë kërkuar kafe.
“I thashë që s’ka kafe se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, po i thashë që është fikur e s’bëhet në këtë orë”, ka dëshmuar kamerieri.
Ai më pas shton se u acaruan dhe në atë moment ka ndërhyrë shoku i tij Flori Paluçi, për ti dalë në krah dhe më pas ka nisur debati mes tyre.
“Nga lokali dolën te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit dhe Danieli më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi Florin duke e lënë të vrarë”, tregon kamerieri.
Deri më tani janë shoqëruar 7 persona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



