Nga Gazeta Si- Ish-kryeinspektori I IMT-së në Durrës Ardian Halili është arrestuar ditën e djeshme pasi kishte ndërtuar pa leje në zonën e Ishmit.
Drejtori i Policisë Durrës, Vilson Bala, ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e tij, duke thënë se ndërtimet janë kryer në kohën kur Halili mbante detyrën e kryeinspektorit, gjatë vitit 2018 e në vijim.
“Ai u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë”. Ai e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021”, thotë Bala.
Ai shton se nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim.
Bala tha në deklaratën për shtyp se ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull.
“Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës”, tha Bala.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



