Ngjarje

Durrës, 28-vjeçari plagoset me armë për për parkimin. Arrestohen dy nga autorët

Gazeta Si – Një konflikt për parkimin e një automjeti, për pak sa nuk ka përfunduar me viktima në Hamallaj të Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, ndërsa këtë të enjte, policia ka vënë në pranga Alfons Lekgegaj, 37-vjeç dhe Armen Sabliqi, 18-vjeç, ndërsa në kërkim janë shpallur Altin Lekgegaj, 44-vjeç dhe Serxho Lekgegaj, 21-vjeç.

Konflikti nisi nga gjuajtja me sende të forta, deri tek plagosja me armë zjarri. Sakaq, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy thika, të cilat 37-vjeçari i mbante në lokalin e tij pa leje, ndërsa në vendngjarje u gjetën shkopa druri që dyshohet se janë përdorur në konflikt.

Sipas policisë, Alfons Lekgegaj bashkë me vëllain Altin Lekgegaj dhe nipin e tyre, Serxho Lekgegaj, është konfliktuar fillimisht me sende të forta dhe më pas ka tentuar që të vrasë me armë zjarri 28-vjeçarin, L.R.

Policia thotë se autori armën e posedonte pa leje, ndërsa 28-vjeçari ndodhet në spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja është shënuar rreth orës 17:00 të së mërkurës në fshatin Hamallë Sektor, në zonën e bregut të detit dhe shkak i sherrit ka qenë parkimi i automjetit të 37-vjeçarit përpara zonës së plazhit.

Policia ushtroi kontrolle edhe në lokalin e Lekgegajt të arrestuar, ku u gjetën edhe dy thika që ai mbante pa leje.

“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në fshatin Hamallë Sektor, Njësia Sukth, Durrës, në zonën e bregut të detit Adriatik, shtetasi A. L., 37 vjeç, në bashkëpunim me vëllanë e tij A. L., 44 vjeç, si dhe nipin e tij S. L., pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin L. R., që lidhej me parkimin e automjetit përpara zonës së plazhit të A. L., 37 vjeç, konflikt i cili fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas duke përdorur armë zjarri që e mbante pa leje, ka tentuar të vrasë shtetasin L. R., 28 vjeç, banues në Kolesjan, Kukës.”, njofton policia.

Ndaj 37-vjeçarit Alfons Lekgegaj rëndon akuza e tentativës për vrasje me dashje kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Armen Sabliqi akuzohet për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa ndaj dy të tjerëve në kërkim rëndon akuza e tentativës së vrasjes me dashje të kryer në bashkëpunim dhe dhe të armëmbajtjes pa leje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë