Futboll

Duro merr drejtimin e Lushnjës, Dede drejt Dinamos

Gazeta Si – Klodian Duro është trajneri i ri i Lushnjës. Ish-lojtari i Kombëtares rikthehet në stol pas eksperiencave që ka pasur më parë te Kamza, Kukësi, Luftëtari dhe Feronikeli në Kosovë.

Lajmin e ka dhënë vetë trajneri 44-vjeçar me një postim në faqen e tij në Facebook. Elbasanasi ka postuar një foto para stadiumit të Lushnjës “Roza Haxhiu”, bashkë me kryebashkiaken Eriselda Sefa, në cilësinë e presidentes të skuadrës, dhe deputetin Taulant Balla.

Klodian Duro, Taulant Balla dhe Eriselda Sefa. Gazeta Si, 26 qershor 2022

Klodian Duro ka edhe një mesazh filozofik drejtuar lushnjarëve, të cilët i fton për të ndihmuar në sfidën e tij të re.

“Faleminderit kryetares së bashkisë Eriselda Sefa dhe z.Taulant Balla që më besuan drejtimin e këtij projekti për krijimin e një klubi profesionist. Për të rikthyer Lushnjën atje ku i takon, në Superiore.

Ftoj të gjithë bizneset, tifozët, qytetarët dhe çunat e Lushnjës t’i bashkohen dhe ta mbështesin këtë projekt ambicioz, që fillon nga ekipet zinxhir të fëmijëve të akademisë e deri tek ekipi A.

Roma nuk u ndërtua për një ditë, por me shumë punë dita-ditës. Dhe ne të bashkuar dhe me shumë punë do t’ia dalim ta rikthejmë Lushnjën në Superiore për të mirën e të gjithë fëmijëve, qytetarëve dhe tifozëve lushnjarë”, – shkruan Duro.

Lushnja ka disa vite që vuan në futbollin inferior, pa mundur t’i bashkohet elitës. Sezonin e fundit kjo skuadër është drejtuar nga trajneri Agim Canaj.

Nevil Dede, kur drejtonte Tiranen. Gazeta Si, 26 janar 2022

Një tjetër ish-lojtar i Kombëtares, Nevil Dede, pritet të marrë drejtimin e Dinamos, që sezonin e ri do të luajë në Kategorinë e Parë. Dede drejtoi Erzenin sezonin e fundit, duke e ngjitur atë në elitë.

Ish-lojtari i Tiranës ka arritur akordin me drejtuesit e Dinamos dhe zyrtarizimi pritet të bëhet këto ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë