Kombetarja

Durmishaj zgjedh Greqinë: Dua të nderoj vendin që më ka ndihmuar!

Çështja e shumë diskutuar e sulmuesit Fiorin Durmishaj tashmë ka marrë një përgjigje përfundimtare nga vetë protagonisti: ai do të veshë fanellën e kombëtares së Greqisë dhe jo të Shqipërisë. Nuk ka më dyshime. Gjithçka e ka pohuar me gojën e vet futbollisti, duke dhënë edhe argumentet e këtij vendimi. Kjo është hera e parë që sulmuesi flet pasi u bë çështje për faktin se kishte marrë ftesë si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Greqia kohët e fundit.

Durmishaj ka folur për “Total Football”, duke u shprehur se ka vendosur të respektojë Greqinë, vendin që strehoi familjen e tij në një moment shumë të vështirë. “E dashuroj këtë vend. Miqtë e mi më të mirë janë grekë dhe ata më kanë ndihmuar shumë. Nuk më shohin më si të huaj. Nuk mund ta kafshosh kurrë një dorë që të ka ushqyer, ndaj dua ta respektoj Greqinë. Kam ardhur në këtë vend bashkë me familjen në një moment të vështirë. Më kanë ndihmuar dhe për këtë arsye dua ta nderoj Greqinë. Vlerësimet e Angelos Anastasiadhis dhe Angelos Basinas? Një nder për mua. Shpresoj të bëj më të mirën dhe t’i justifikoj këto vlerësime të mëdha për mua”, – ka thënë mes të tjerash sulmuesi Fiorin Durmishaj, 22-vjeçari i lindur në Vlorë.

Fiorin Durmishaj

Sulmuesi shtatlartë aktivizohet me Panioniosin dhe për të interesohet Olimpiakosi, pas paraqitjes së mirë në këtë sezon. Deri para pak kohësh ishte pjesë e Shqipërisë U-21 dhe u tha se do të ishte një nga risitë e trajnerit Kristian Panuçi për eliminatoret e Europianit 2020, por tashmë trajneri italian duhet ta fshijë këtë emër nga blloku i tij, sepse Durmishaj ka zgjedhur Greqinë. Shqipëria e ka humbur betejën me Greqinë për një lojtar të talentuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë