Imagjinoni për një moment që biznesi juaj aktual, të mos ketë asnjë tatim.
Mendoni sikur pagat e punonjësve tuaj të përjashtohen nga të gjitha taksat për 10 vite. Shtoni te mendimet që të gjitha mallrat, pajisjet dhe shërbimet tuaja të përjashtohen nga TVSH-ja, nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe nga taksat për pasuritë e paluajtshme.
Gjithashtu mendoni që shteti t’ju paguajë për trajnimin e punonjësve tuaj. Që kontributet për sigurimet të paguhen gjithmonë në nivelin e pagës minimale. Një ëndërr? Quhet Durana.

Lehtesite e Durana
Dhe aktualisht është kryefjala e denoncimeve në media për dyshime se ky projekt është një ‘parajsë fiskale’.
Por çfarë është Durana?
Durana është një park teknologjik i krijuar më 20 shkurt 2025 dhe është pronë e Korporatës Shqiptare të Investimeve. Në bazë të ligjit shqiptar, zhvilluesi i parkut është KSHI dhe drejtoresha Elira Kokona.
Por le të shpjegojmë së pari çfarë do të thotë një park teknologjik. Në vitin 2022, presidenti Barjam Begaj dekretoi një ligj të kaluar më herët në Parlament, “për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”.
Ky ligj, është edhe dera e parë hapëse për parqet teknologjike në Shqipëri, si qendra inovacioni të produkteve më të reja teknologjike. Dhe deri këtu, çdo gjë është në rregull. Parku i ri teknologjik kërkon edhe një terren të ri.
Për këtë, qeveria i dha Duranës përmes VKM, më 27 mars të 2024, një sipërfaqe me 140.000 m2 në Xhafzotaj në Durrës, që do të përdoreshin për hapjen e këtij parku.
Në këtë moment, Durana ende nuk kishte lindur, pasi regjistrimi zyrtar i saj në shtetin shqiptar është bërë më 20 shkurt 2025. Pra gati 11 muaj më pas.
Por edhe pse ka kaluar 2 vite që nga koha kur Durana mori tokën nga shteti, dhe 1 vit nga momenti që u regjistrua, në Xhafzotaj të Durrësit, toka është djerrë. Asgjë nga ajo që shihet nuk duket si një park teknologjik.

Vendi ku duhet të ishte sot Durana
Me çfarë kemi të bëjmë?
Për këtë le të shpjegojmë pak çfarë po ndodhte në Shqipëri ndërkohë që projektohej ndërtimi i Durana Tech Park. Nga 1 janari i vitit 2026, e gjithë industria e zhvillimit dhe prodhimit të softuerëve në Shqipëri hyri në një regjim të ri tatimor. I gjithë ky sektor u përjashtua nga norma e reduktuar me 5% e tatimit mbi fitimin, duke bërë që të gjitha bizneset e kësaj fushe të kalojnë në një regjim standart me 15% të tatimit mbi fitimin. Rekomandimet e FMN dhe BE për mos të patur privilegje ushtruan një presion pozitiv mbi qeverinë shqiptare, duke bërë që në paketën e re fiskale, edhe këto biznese do të trajtoheshin po njësoj.
Por kush janë më të mëdhenjtë e tregut të IT? Kompanitë kryesore të zhvillimit të softwerëve në Shqipëri, përftuese të parave publike deri më tani dihen se janë dyshja Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi të shpallur në kërkim. Shumë prej kontratave të AKSHI-t janë fituar nga Beqiri bashkë me biznesmenin Gëzim Hoxha. Ky i fundit me kompaninë e tij FIRST, në vetëm 1 tender sekret nga AKSHI ka përfituar plot 60 milionë euro.
Kështu, 53 kompani, të listuara në këtë tabelë, u bënë pjesë e “DURANA” duke përfituar lehtësirat fiskale që do të hynin për ta në fuqi nga 1 janari i vitit 2025, kohë kur paralelisht konkurrentët e tyre në sektor do të paguanin 15% tatimin mbi fitimin përfshirë edhe detyrime të tjera.

Lista e kompanive qe hyne ne Durana
Kështu që vendimi për t’u bërë pjesë e Duranas kundrejt një tarife prej 50 euro në vit ishte qartësisht në interesin e tyre.
Skema e ndërtuar për t’ju dhënë lehtësi këtyre bizneseve bie ndesh ndërkohë me ligjin shqiptar për procedurat tatimore, por edhe ligjin e miratuar në vitin 2022 për parqet teknologjike. Ligji i 2022, në pikën 12 të tij përcakton qartë se transferimi i një veprimtarie ekzistuese në territorin shqiptar në park, me qëllim kryesor përfitimin e lehtësive të parashikuara në këtë ligj, është i ndaluar. Çdo transaksion, që në thelb rezulton në transferimin e veprimtarisë ekonomike sipas përcaktimit të mësipërm, është i ndaluar. Përkthimi i tij krahasuar me ligjin për procedurat tatimore, ndalon që një biznes ose ortakë të rishpikë veten në një tjetër emër por me aktivitet të ngjashëm vetëm për të shpëtuar nga detyrimet fiskale.
Nga verifikimi që ZËRI i bëri listës, në mbi 90% të saj, të njëjtët ortakë dhe aksionerë kanë disa kompani të tjera jashtë parkut me të njëjtin status ku ndryshon forma por jo përmbajtja.
Shembulli më i mirë për këtë është biznesmeni Gëzim Hoxha, i cili në Durana ka hyrë me kompaninë “Cybermind” dhe Box Artificial Logic. Brenda parkut, Hoxha hyn me ICT, dixhitalizim, siguri kibernetike, AI, ML, IoT si pjesë e kërkimit dhe inovacionit, ndërsa jashtë me kompaninë First, zhvillon software, SaaS, cybersecurity, sisteme të sigurisë elektronike dhe kibernetike, në një përputhje thelbësore në It dhe kibernetikë. Të dyja kompanitë e Gëzim Hoxhës përputhen në fushë, kompetenca, standard dhe output profesional. Kaq do të mjaftonte që në zbatim të ligjit për parqet teknologjike, ai të mos pranohej si anëtar i Durana. Kjo nuk ka ndodhur. Ai bashkë me kompanitë e Beqirit, Agasit, Koromanit, Cikos etj, janë bërë pjesë e Durana.
ZËRI iu drejtua me një kërkesë për informacion zhvillueses së Parkut, znj. Elira Kokona. Pyetjeve tona se cilat kanë qenë procedurat e pranimit të kompanive, filtrat për të shmangur një kalim fiktiv të veprimtarisë në Durana, deri në publikimin e artikullit, nuk kanë marrë një përgjigje.
Ndërkohë burime i thanë ZËRI se këto kompani nga 1 janari deri më 15 janar, nuk kanë kryer asnjë aktivitet ekonomik qoftë edhe virtualisht si pjesë e Durana, gjë që ngre dyshime për suksesin e Duranas që fill pas goditjes së dyshes Agasi-Beqiri nga SPAK, nuk kanë kryer asnjë shërbim ekonomik.
Plani u prish?!
ZËRI u konsultua me shumë ekspertë IT dhe kontabilistë që shpjeguan sesi Durana do të funksiononte dhe se deri tani “pasoja nuk ka ardhur”. E projektuar si qendër inovacioni dhe kërkimi digjital, çdo ditë që kalon Durana duket si një strehë fiskale për klientë favoritë që janë furnizuar nga kontratat publike.
“Baza ligjore ndalon shoqëritë tregtare (sh.p.k.) që të riprodhojnë ose riorganizojnë aktivitetin e tyre brenda entiteteve të “përshtatura” si parqet teknologjike, me qëllim shmangien e detyrimeve fiskale ndaj shtetit. Ligji synon të parandalojë pikërisht skemat ku një kompani mbyll ose dobëson aktivitetin jashtë parkut dhe e rihap praktikisht të njëjtin aktivitet brenda parkut teknologjik, për të përfituar nga lehtësitë tatimore. Po ashtu, ndalohet që aksionerët apo ortakët e një kompanie ekzistuese jashtë parkut teknologjik të hapin një kompani tjetër me të njëjtin ose thelbësisht të ngjashëm aktivitet brenda parkut, nëse qëllimi është shmangia e taksave, kontributeve apo detyrimeve të tjera ligjore. Kjo vlen edhe në rastet kur ndryshohet vetëm emri i subjektit, por ruhet struktura reale e biznesit, klientët, stafi ose modeli i funksionimit.
E gjithë kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me paketën e re fiskale, e cila solli ndryshime të ndjeshme për sektorin e teknologjisë së informacionit. Konkretisht, tatimi mbi fitimin për kompanitë IT u rrit nga 5% në 15%, pas kërkesave të përsëritura nga Bashkimi Europian, me arsyetimin se regjimi preferencial krijonte shtrembërime tregu dhe konkurrencë të padrejtë.
Për të shmangur këtë rritje të barrës fiskale, disa kompani planifikuan që nga 1 janari të transferonin aktivitetin e tyre në zonën e Durranës (Durana), e shpallur si park teknologjik, ku parashikohen taksa zero ose lehtësime ekstreme fiskale. Në këtë skemë përfshiheshin edhe kompani të lidhura me emra të njohur të sektorit, si ato të grupit të Gysit, Ermalit, Gëzimit, etj., të cilat synonin të vazhdonin të njëjtin aktivitet ekonomik, por nën një regjim shumë më të favorshëm tatimor.
Megjithatë, legjislacioni aktual dhe parimi i “substance over form” (thelbi mbi formën) u jep të drejtë institucioneve tatimore që ta konsiderojnë këtë veprim si shmangie fiskale, nëse provohet se aktiviteti real nuk ka ndryshuar dhe se parku teknologjik po përdoret vetëm si strehë ligjore për të mos paguar taksat.”-shpjegoi një kontabilist për ZËRI në kushtet e anonimatit.
Deri më tani, ëndrra e një parajse fiskale është ngrirë.
A do të merrte Durana para nga shteti? Deri më tani, asnjë transaksion i tillë nuk ka ndodhur.
Nga kërkimet e ZËRI, në fakt ne hasëm në një tjetër tentativë për të ndryshuar ligjin e vitit 2022.
Një projektligj i propozuar nga deputeti socialist Ramion Kurti, i kaluar tashmë për shqyrtim në Parlament për disa shtesa në ligjin për “Parqet teknologjike dhe shkencore” parashikon dy ndryshime të rëndësishme që prekin direkt parkun e vetëm teknologjik të vendit, që është Durana. Konkretisht, në gërmën (dh), në fund të paragrafit shtohet fjalia” ” Përdoruesi rezident i parkut regjistrohet në territorin e parkut me NIPT/NUIS parësor ose/dhe me NIPT/NUIS dytësor në territore të ndryshme nga territori i parkut.”

Projektligji per parqet teknologjike i depozituar ne Kuvend
Ky ndryshim përcakton në thelb se përdoruesit e parkut, mund të kenë dy nipte. Njërin brenda parkut dhe një tjetër jashtë parkut, por duke gëzuar privilegjet e parkut. Ky ndryshim është një derë e hapur që hyrja në Durana të jetë vetëm formale, ndërkohë që aktiviteti të vazhdojë jashtë parkut.
Një tjetër ndryshim i përgatitur në parlament është edhe përfitimi nga paratë publike. Më konkretisht, në nenin 5 të po këtij ligji parashikohet që kompanitë e parkut, mund ti shesin enteve publike ose sipërmarrjeve të përbashkëta, produktet e prodhura në park me një cmim më të ulët.
“(c) përfitojnë, në mënyrë preferenciale, mallrat/shërbimet/krijimet/produktet e realizuara në park nga një përdorues që ka aksioner mbi 51% një ent publik apo një shoqëri të përbashkët / sipërmarrje të përbashkët me nje enti publik kundrejt një cmimi preferencial që parashikohet në “Marëveshjen e bashkëpunimit për një produkt inovativ” bazuar në kontratën e modelit tip të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave. (ç) lidhin marrëveshje bashkëpunimi për një produkt inovativ me përdoruesit të cilët kanë aksioner një apo më shumë ente publike përfshirë edhe zhvilluesin, lidhur me mallrat/shërbimet/produktet inovative/krijimet e tyre në park.”-thuhet në projektligjin e dorëzuar në Kuvend, që në një kuptim më të gjerë do ti hapte rrugën në të ardhmen anëtarëve të Durana të hynin në tendera publikë në fushën e teknologjisë.

Projektligji per parqet teknologjike i depozituar ne Kuvend
Në fund, ajo që shihet nga historia e Duranas është një paralajmërim se transparenca dhe kontrolli janë thelbësorë për çdo skemë që preket nga paratë publike dhe privilegjet fiskale. Durana mund të bëhet një qendër inovacioni që sjell vlerë reale për ekonominë dixhitale, por vetëm nëse aktiviteti brenda parkut është i matshëm, real dhe i ndarë nga çdo lloj shfrytëzimi fiskal të dyshimtë.
Nëse kjo nuk ndodh, Durana rrezikon të mbetet simbol i privilegjeve për pak të zgjedhur, një “parajsë fiskale” e ngrirë që nuk krijon inovacion dhe nuk shërben për zhvillimin e sektorit. Për shqiptarët, dhe për ata që duan një treg të ndershëm IT, pyetja e vetme që mbetet është: A do të ketë një aktivitet ekonomik Durana jashtë gardhit të përfituesve të kontratave publike? Projektligji i fundit, i propozuar nga deputeti Ramion Kurti duket se do të thellojë këto privilegje, ndërkohë që hetimi i SPAK për faktin se Durana nuk ekziston në terren vazhdon!// Marrë nga ZËRI
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



