Nga Gazeta ‘Si’- Në interpelancën e kërkuar me Delina Ibrahimajn nga Agron Shehaj dhe Erald Kapri për ‘Durana Tech Park’, ministrja mohoi që ‘Durana’ të përbëjë një parajsë fiskale.
Shehaj pretendoi se Durana Park, që nga plani për ndërtimin fizik në Xhafzotaj ka kaluar në atë të funksionimit virtual, është krijuar për të favorizuar biznesmenë e kompani me probleme ligjore ose në pronësi të personave të shpallur në kërkim.
Kjo për shkak se investitorët e huaj të regjistruar në Durana Park paguajnë zero taksa për 15 vite.
“Ky park do të ishte një park teknologjik ku invesitorë të huaj dhe vendas do të ndërtonin start up teknologjike, do të krijoheshin biznese inovative dhe shërbime për perëndimin. Ju premtuat që për këtë qëllim, duhet t’ju premtojmë investitorëve që ata nuk do të paguajnë taksa.
S’mund t’ju kërkojmë investitorëve të huaj 23% taksa se ndryshe nuk vijnë. I thatë shqiptarëve ju do të paguani taksa, këto s’do të paguajnë. (tregon projektin) Është fushë me lopë. Tani në fakt ju nuk u dorëzuat. Nuk e bëmë dot këtë fizikisht, por mund ta bëjmë vertikalisht dhe vendosët, morët dhe kolegen drejtoreshën e korporatës shqiptare të investimeve dhe ratë dakord. Se nuk mund të ndalonit projektin. 1 muaj para se të hapeshin aplikimet për bizneset që të regjistroheshin virtualisht, Ermal Beqiri, krijoji një shoqatë me biznese në fushën e teknologjisë.
Si për rastësi pjesa më e madhe e bizneseve të tij u regjistruar në Durana Park. 2/3 e bizneseve që u regjistruan fiktivisht tek fusha, të paktën 46 biznese virtualisht, 2/3 janë të Beqirit”, tha Shehaj gjatë interpelancës.

Në përgjigje për Shehajn, Ibrahimaj tha se qëllimi i Durana Tech Park është që të krijojë një mjedis të veçantë ekonomik dhe teknologjik që ofron kushte të favorshme për zhvillimin e industrive të avancuara.
“Një projekt që javët e fundit ka marrë baltë, llum, por e vërteta për të nuk është folur dot sepse mediat janë mbytur me llumin që rivjen, i cili s’i hyn në detaj analizës dhe merr çdo gjë mundet për të hedhur tym mbi vizionet e qeverisë. Ky është një projekt që prek zhvillimin ekonomik dhe kjo është arsyeja pse interpelancën po e bëj unë dhe jo ministri i Financave. Ka një komponent të politikës fiskale, por në masë është projekt i zhvillimit ekonomik”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj tha se ajo ka qenë pjesë e ideimit të këtij projekti, i cili rrjedh nga miratimi i një ligji në vitin 2022 për të nxitur inovacionin dhe zhvillimin ekonomik.
Më pas ministrja shtoi se parqet teknologjike nuk janë “shpikje shqiptare” dhe përmendi si shembull rastin e Moldavisë, ku projekte të tilla kanë sjellë investime të huaja direkte dhe iu përgjigj akuzave të Shehajt lidhur me bizneset e regjistruara.
“Janë 80 rezidentë sot, ku 57 prej tyre kanë kontrata të finalizuara dhe janë rezidentë dhe pjesa tjetër është në proces të avancuar. Pra i është miratuar rezidenca, me qëllim të fillojnë të operonë në Durana. Ndërkohë nga këto 52 subjekte janë me kapital të huaj dhe 48 me kapital shqiptar.
Kjo është një përbërje domethënëse, sepse tregon njëkohësisht interesin ndërkombëtar dhe zhvillimin e ndërmarrjes vendase. Tani dua që të ndaloj pak tek tymnaja e krijuar për parajsën fiskale, për evazionet, për gjithçka tjetër që është folur nga ju dhe të tjerët në media.
Parajsa fiskale ka disa komonentë, janë katër. Parajsë fiskale konsiderohet një hapësirë gjeografike, shtete apo qytete, të cilat kanë taksa të ulëta apo zero, kanë një mungesë transparence mbi bizneset që regjistrohen por mbi të gjitha me pronarët që regjistrohen, ka mungesë kontrollesh tatimore dhe legjislacion fleksibël për parandalimin e pastrimit të parave. Tani më thoni ju, ku hyn Durana këtu?
Durana ka një procedurë standarde dhe shumë të dokumentuar për regjistrimin e përdoruesve. Të gjitha subjektet e regjistruara në Durana, janë të gjitha në QKB dhe deklarojnë pronarin përfitues dhe kanë detyrim për këtë. Janë subjekte që nuk anashkalojnë në asnjë moment monitorimin fiskal, aq më shumë se çdo përdorues duhet të njoftojë organin tatimor që është përdorues.
Ata që marrin statusin e përdoruesit për të përfituar nga lehtësimin. Janë aty sepse lehtësimet fiskale përdoren gjerësisht nga qeveritë dhe inovacioni është prioritet për qeveritë shqiptare. Nëse bëjnë shkelje e humbin këtë status.”, tha Ibrahimaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje