Drejtësia

Dumani sqaron dosjen ‘Xibraka’: Është rihapur, por nuk ka kallëzim për Olsi Ramën nga Gazment Bardhi

Gazeta Si – Altin Dumani ka sqaruar disa paqartësi sa i takon çështjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë, për të cilën kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se ka bërë kallëzim ndaj Olsi Ramësm vëllait të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë takimit me gazetarët, kreu i SPAK u shpreh se ka nisur një hetim për këtë dosje, e cila është rihapur.

Por Dumani theksoi se nga ana e Gazment Bardhit nuk ka asnjë kallëzim, ndryshe nga sa ai pretendon në daljet mediatike të tij. “Qartësisht nuk ka bërë kallëzim”, ka deklaruar Dumani ndër të tjera.

Rreth 10 ditë më parë, vëllai i Kryeministrit, Edi Rama, Olsi Rama, mohoi nga SPAK, lidhjet e tij me trafikantët e drogës në dosjen e njohur si “Xibraka”, të denoncuara nga Partia Demokratike.

Ai u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për padinë që ka bërë më herët ndaj Gazmend Bardhit për shpifje në lidhje me këto deklarata.

“Unë e kam bërë kallëzimin, sepse e kam konsideruar një manipulim të të gjitha fakteve dhe një gënjeshtër shumë të madhe. Prandaj, për të dalë e vërteta. Ju e dini shumë mirë se i kujt është automjeti. Unë i kam marrë automjetin në atë kohë një personi për të shkuar për të bërë një udhëtim dy ditor në Selanik dhe kaq. Nuk kam lidhje fare me asnjë nga personat që përmendni dhe vetëm një person njoh, komplet rastësisht”, tha Rama.

“I kam mohuar të gjitha, se nuk ka asgjë të vërtetë. Do të vij sa herë të jetë nevoja”, shtoi Rama.

Pas kësaj deklarate, Gazmend Bardhi tha se Olsi Rama konfirmoi gjithçka që ai kishte denoncuar për të, por sipas tij gënjeu që e ka përdorur vetëm 1 herë makinën që përdornin disa trafikantë drogë.

Por kryeministri Rama reagoi duke thënë se Bardhi nuk kishte bërë kallëzim për vëllain e tij, ndryshe nga sa kishte deklaruar publikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë