Nga Gazeta 'Si'- Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.
Kështu deklaroi mbrëmjen e kaluar kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
“Sky ECC është një ndër provat e trajtuara gjatë fazës së hetimit paraprak. Por edhe bashkëpunimi në kuadër të SKY ECC është një tjetër tregues i nivelit të zbatimit të ligjit nga SPAK dhe që i dha mundësi SPAK-ut të punojë me prova të kësaj natyre”, theksoi Dumani.
Kreu i SPAK u shpreh se “falë edhe të dhënave të përfituara nga SKY, ne tashmë kemi një panoramë më të qartë të krimit të organizuar shqiptar, të shtrirjes gjeografike, të aktiviteteve të synuara të krimit të organizuar shqiptar, të aleancave me grupet e tjera kriminale jo shqiptare, të fuqisë financiare të tyre”.
“Gjithashtu procedimet penale kur përdorëm SKY na dhanë mundësi të ekspozonim lidhjet e krimit të organizuar me politikën, me gjyqtarë, me prokurorë, me funksionarë të lartë policie dhe me përfaqësues të lartë të administratës”, u shpreh Dumani në një intervistë për RTSH.
"Krimi i organizuar shqiptar, shumë i rrezikshëm"
Dumani gjithashtu deklaroi se krimi i organizuar shqiptar është shumë i rrezikshëm dhe se mjaft prokurorë, familjarë të tyre, janë kërcënuar nga ky krim i organizuar.
“Lidhur me krimin e organizuar jemi të shqetësuar, sepse vihet në rrezik jeta e tyre dhe e familjarëve të tyre. Janë të shumta rastet që prokurorët janë kërcënuar. Krimi i organizuar shqiptar është shumë i rrezikshëm dhe këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe agjencitë e huaja me të cilat ne bashkëpunojmë. Nuk flasim për krim të rrezikshëm imagjinar, por për real”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.