Gazeta Si – Në raportin vjetor para Komisionit të Ligjeve, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani tha se janë sekuestruar 41 milionë euro pasuri të krimit të organizuar në vitin 2023.
Në bilancin e punës së Prokurorisë së Posaçme, Dumani tregoi dhe format që përdor krimi i organizuar për pastrimin e parave, përfshirë atë në fushën e ndërtimerve.
Ai theksoi se SPAK ka tregues sasior dhe cilësor të përmirësuar në raport me një vit më parë. “Ka hetuar 863 materiale nga të cilat nuk është filluar hetimi penal për 103 materiale. 41 milionë euro sekuestrim pasurie. Në asnjë rrethanë nuk jemi inkuizitor, – specifikoi Dumani. – Detyra jonë është të hetojmë, po mbajmë në kujdes mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Shifrat janë kokëforta në lidhje me politikën tonë penale. Të paraburgosurit nga SPAK zënë më pak se 9%”.
Duke u ndalur te forma që po përdor krimi i organizuar për pastrimin e parave, Dumani shpjegoi se ka një rritje të përdorimit të shoqërive tregtare si dhe investimi në prona të paluajtshme dhe depozitime në llogari të ndryshme bankare.
“Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe disa banka janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave. Gjithashtu dyshohet se shuma të konsiderueshme parash depozitohen në llogaritë bankare, në emra shoqërish tregtare, ose të të afërmeve të të dyshuarve. Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në Shqipëri nga bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane. Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat në sektorin bankat, për shtresëzimin e transfertave që do të transferoheshin përmes këtij biznesi. Bashkëpunimi shumë i mirë me banka të nivelit të dytë bëri që ky operacion i grupeve kriminale të dështonte” -tha Dumani.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme ngriti edhe disa shqetësime si mungesa e referimeve nga institucionet publike, ndërsa u ndal edhe në mandatin e prokurorëve të SPAK.
Vetë Dumani është shprehur se duhet një zgjatje e mandatit për prokurorët e SPAK. “Ne kemi paraqitur disa shqetësime që shpresojmë të gjejnë zgjidhje, mungesa e përcaktuar qartë në kuadrin ligjor në lidhje me ekzistencën e prokurorëve pas përfundimi të mandatit, mungesa e këshilltarëve ligjorë, adresimi i ngarkesës të shtuar ndaj drejtuesit të SPAK mbi çështjet e prapambetura të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencës të komisionerit publik, mungesa e referimet nga institucionet publike, numri i procedimeve të mbartura”, tha Dumani.
Ai shpreh se është rritur bashkëpunimi me Amerikën latine dhe 32 skuadra të përbashkëta hetimore për të parandaluar dhe luftuar organizatat shqiptare të trafikut të drogës që knë shtrirje të mëdha në këtë rajon.
“SPAK ka vendosur kontakte të drejtpërdrejta me shtete latine që rrisin ndjeshëm bashkëpunimin. Nga 2020-2020 janë krijuar 32 skuadra të përbashkëta hetimore, ku 10 prej tyre janë krijuar në 2023. SPAK ka rritje të ndjeshme kërkesave jashtë vendit për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka rritje për kërkesat për ekstradim, janë 39 kërkesa për ekstradimit. Kemi arritur që të kemi besueshmëri dhe bashkëpunim me institucione partnere. Përfaqësues të DEA janë vendosur në SPAK”, tha Dumani.
Sa i takon bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, Dumani deklaroi se “kemi arritur që të kemi besueshmëri dhe bashkëpunim me institucione partnere. Përfaqësues të DEA janë vendosur në SPAK”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



