Gazeta Si – Nëse gjatë vitit 2024, ka pasur një rënie të kallëzimeve në SPAK nga Policia e Shtetit, nga ana tjetër vihet re një rritje e denoncimeve të bëra nga qytetarët për shkak të rritjes së besueshmërisë ndaj këtij institucioni.
Në fjalën e tij, ku prezantoi arritjet dhe sfidat, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, nuk i kurseu kritikat as për Tatimet e Doganat, ku beson se niveli i korrupsionit në këto institucionet publike nuk është zero, pasi qytetarët kanë bërë një numër të lartë kallëzimesh.
Në lidhje me Policinë e Shtetit, Dumani theksoi se ka rënie të kallëzimeve në SPAK, duke u përgjysmuar ky numër nga 65 në vitin 2023, në 30 gjatë 2024-ës.
Ndërkohë që është shënuar rritje sa i përket kallëzimeve në SPAK nga qytetarët, çka tregon besimin tek ky institucion.
“Gjatë vitit 2024, konstatohen në total 132 hetime të filluara me kallëzime dhe referime nga individë dhe institucionet. Hetimet e filluara nga kallëzimet e qytetarëve janë dëshmi e rritjes së besimit të publikut tek institucioni i Prokurorisë së Posaçme. Nga ana tjetër, vihet re rënie e hetimeve të filluara me kallëzime nga Policia e Shtetit, nga 65 në vitin 2023 në 30 në vitin 2024”, tha ndër të tjera drejtuesi i SPAK, Altin Dumani.
Ai nënvizoi se kjo mund të shihej edhe si rënie e korrupsionit të zyrtarëve, por numri i lartë i denoncimeve qytetare tregon se problematika ekziston dhe sipas tij nuk është zero.
Në nëntekst ai përkufizoi se “korrupsioni në Dogana e Tatime nuk është zero!”, teksa i referohej shifrave gati inekzistente të denoncimeve prej këtyre institucioneve.
“Fakti është se ka ulje të referimeve nga ana e institucioneve. Të gjitha janë të detyruara t’i denoncojnë, për më tepër institucionet,që kanë edhe dispozita. Dikush i sheh si rënie e kriminalitetit, korrupsionit, varet si i sheh. Edhe mund të shihen kështu. Por duke parë kallëzimet e qytetarëve, rritjen e numrit të denoncimeve nga qytetarët, të hetuara nga SPAK, nuk mund ta shohim kështu, si rënie të krimit dhe korrupsionit. Pra, duket se ka rritje edhe të besimit qytetar te SPAK dhe ka rritje të denoncimeve. Po marr institucione të rëndësishme, Doganat apo Tatimet, që të mos kenë 1 rast, 5 raste, 10 raste për të mos referuar në SPAK. Besoj që niveli i korrupsionit nuk është zero në Tatime dhe Dogana dhe kjo është ajo që prezantojmë në raport, pasqyrojmë realitetin. Qëllimi nuk është për të kritikuar, por për t’i nxitur institucionet që ne jemi të hapur për bashkëpunim dhe mirëpresim referimet e tyre”, tha Dumani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.