Gazeta Si – Për vitin 2022, SPAK ka pasur një rritje të numrit të çështjeve që janë dërguar për gjykim që lidhen me korrupsionin në krahasim me vitin 2021.
Gjatë raportimit të tij para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kreu i SPAK Altin Dumani tha se është rritur gama e databazave të institucioneve, ku struktura e posaçme ka akses direkt dhe se është rritur numri i hetimeve për “pastrimin e parave.”
Sipas Dumanit, gjatë vitit 2022 janë dërguar për gjykim 43 çështje penale me 208 të pandehur të akuzuar për korrupsion, një rritje me 30% të numrit të çështjeve dhe 117% të numrit të të pandehurve.
“Në lidhje me kërkesat për gjykim, në total Prokuroria e Posaçme ka pasur një rritje të procedimeve penale dërguar për gjykim, nga 43 procedime penale me 239 të pandehur në vitin 2021, në 57 procedime penale me 344 të pandehur në vitin 2022, duke pasur një rritje për një numër çështjesh me rreth 19% dhe për numër të të pandehurve ky tregues rritet me rreth 44%”, – theksoi Dumani.
Sipas tij, për vitin 2022 janë dërguar për gjykim 10 çështje penale me 100 të pandehur për veprat penale në kuadrin e krimit të organizuar ku ka një rritje me 16% të numrit të të pandehurve në raport me vitin paraardhës.
Ndërkohë, vlen të nënvizohet se janë dërguar për gjykim 43 çështje penale me 208 të pandehur të akuzuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin, ku ka një rritje prej 30% të numrit të çështjeve dhe 117% të të pandehurve në krahasim me vitin paraardhës.
Gjatë raportimit të tij, Dumani është shprehur se problematike mbetet situata sa i takon çështjeve të mbartura.
Problematikë për SPAK, ka thënë Dumani, është edhe mungesa e ambienteve për ekspertët, teksa ka deklaruar se 3, 4 deri në 6 hetues qëndrojnë në një zyrë pune.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



