Futboll

Duka takon ministren Kushi për Ligjin e Sponsorizimit: Uroj ta kemi gati në 2022-shin!

Ligji i Sponsorizimit është çështja më e përfolur në futbollin dhe sportin shqiptar këto vitet e fundit dhe pavarësisht takimeve dhe bisedimeve mes palëve të përfshira, madje deri në bojkot, deri tani nuk është konkluduar në një ligj të ri, aq shumë të kërkuar veçanërisht nga bota e futbollit.

Takimi i radhës ka qenë sot. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, bashkë me presidentin e Ligës Profesioniste Edvin Libohova, drejtorin e departamentit ligjor Aldi Topçiu, si dhe presidentët Edmond Hasanbelliu i Teutës dhe Alban Xhaferri i Vllaznisë, janë takuar me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

Pas takimit, Duka ka folur me optimizëm, duke theksuar se propozimi i komunitetit të futbollit është mirëpritur nga ministrja Kushi. “Patëm një takim me ministren e Arsimit dhe Sportit për të riaktivizuar atë iniciativë të lënë rreth 2 vite më parë për ligjin e sponsorizimeve. Ministrja e priti shumë mirë propozimin tone dhe do ta ndjekim bashkërisht procesin për të pasur mbase një ligj sponsorizimi në vitin 2022”, – u shpreh Duka.

“Erdhëm me të njëjtin propozim, por nuk insistojmë në mekanizma apo në detaje. E rëndësishme është të ketë një ligj për sponsorizimin që të sigurojë mbijetesën e sportit në përgjithësi, jo vetëm futbollit. E falënderoj ministren për marrëdhëniet shumë të mira me FSHF-në dhe për një lloj ndryshimi të qasjes së saj për zhvillimin e sportit. Kemi mirëkuptimin e saj dhe kam besim që do ta çojmë përpara këtë gjë. Nuk kemi më taktikë me bojkot, po provojmë një taktikë tjetër”, – tha Duka gjithashtu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë