Ditën e sotme u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme e FSHF-së, që për shkak të pandemisë u mbajt në mënyrë virtuale. Kreu i futbollit shqiptar, Armand Duka bëri një përmbledhje të punës së kryer, teksa foli edhe rreth projekteve dhe objektivave të së ardhmes. Në këtë asamble marrin pjesë 59 anëtarë nga 60 të mundshëm. Klubi i vetëm që nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës për të marrë pjesë është ai i Luftëtarit, pasi siç dihet klubi gjirokastrit ka shpallur falimentimin dhe është shkrirë.
Ndër të tjera, kreu i futbollit ka nënvizuar: “Futbolli po njeh rritje, në klube po punohet mirë, po shohim talente të rinj që po luajnë. Mungesa e tifozëve i penalizon futbollistët dhe ekipet, por shpresojmë shumë që të kemi praninë e tyre në stadium sa më shpejt dhe situata të normalizohet.
FSHF ka bërë detyrën e saj, e kam ndjekur nga afër këtë proces. Premtimi që kemi marrë nga kryeministri ka qenë pozitiv, miratimi i ligjit të sponsorizimit do të bëjë të funksionojë çfarë nuk ka funksionuar për 30 vite, por do të hapë faqe të re. Në pak vjet sporti do të shndërrohet në ekonomi të fortë. Nuk kërkojmë lëmoshë, por atë që na takon.
Llogaritet një impakt prej 45 milion eurosh që ka sporti në ekonomi, por jemi të vetëdijshëm që të dhënat tona janë vetëm një pjesë e realitetit, nuk përfshin në studim mijëra të ri që luajnë futboll, si futbolli 5×5 apo 9×9.
Do të marrim në skaner një grup klubesh për të parë kontributin që japim edhe në industri. Si në Sllovaki, futbolli kontribuon atje në ekonomi me 170 milion euro, pak a shumë si ne janë edhe me popullsi. Studimi i plotë do të bëhet në mënyrë më shteruese.
Të zhvillojmë futbollin e kemi për detyrë, ndihmon shumë, edukon lojtarët, i bën qytetarë të mëdhenj dhe të devotshëm, prodhon futbollistë profesionistë që i sjellin të ardhura shoqërisë, mbushin stadiumet dhe i dhurojnë lumturi tifozëve.
Jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi një fond rregullues për sportin. 17.2 milion euro taksa ka paguar FSHF në 10 vite, teksa ka investuar 55 milion euro. Shpresoj te fjala e kryeministrit, por nuk do rrimë duarkryq. Nuk do bojkotojmë, por do bëjmë zgjidhjet tona.
UEFA zgjodhi “Air Albania” si vendi ku do zhvillohet finalja e “Conference League”. Na mbush me krenari ky vendim, mbushëm një objektiv për të sjellë në Tiranë një finale të madhe. Vlerësojmë dhe përshëndesim gatishmërinë e institucioneve shqiptarë, bashkisë dhe enteve, hoteleve etj ’’.
QEVERIA- Por më pas, ai nuk iu shmang sulmeve më të ashpra direkte. “Mënyra shtetërore e drejtimit të sportit është e turpshme dhe më e turpshmja e 30 viteve të fundit. MAS i qeverisë Rama e theu rekordin e MTKRS-së të qeverisë paraardhëse. Me dy gërma më pak e kilometra indiferentizmi sportive më shumë”, ishin fjalët e Dukës për komunitetin e futbollit.
Qeveria nuk e ka lexuar projektin, ministria e famshme e Arsimit është nxituar të na kthejë përgjigje negative. Do vazhdojmë projektin, do e mbështesim me 50% të financimit. Duam të shtojmë inventarin e fushave. Do t’i përkrahim fëmijët me kujdes. Shpresoj te fjala e kryeministrit, por nuk do rrimë duarkryq. Nuk do bojkotojmë, por do bëjmë zgjidhjet tona.
Kombëtarja- Planet u pozicionuan nga prania po jo e futbollistëve, tamponët dhe regjimet e futbollistëve në vendet ku luajnë. E kthyem në oportunitet për të ftuar sa më shumë lojtarë të rinj, të cilët garantojnë dekadën e ardhshme dhe do i shërbejnë objektivit Euro 2024.
Koha na dha të drejtë, e mbyllëm në vend të parë në Nations League dhe u ngjitëm një vazo më lart. Para pak ditësh u njohëm edhe me shortin e eliminatoreve të Botërorit. E vështirë, por nuk do të dorëzohemi. Asnjë skuadër nuk do e ketë të lehtë në Tiranë. Shpresoj t’i kemi tifozët, jemi të ndërgjegjshëm për forcat e tre ekipeve të para, por edhe për forcën tonë.
Shpresat arritën rezultate mbresëlënëse. Arritëm vendin e tretë në grup, për herë të parë prej vitit ’90. Po bëhet një punë e mirë tek ekipi Shpresa dhe në ekipet e tjera zinxhir. Paraqitje të mirë ka bërë edhe ekipi i vajzave. Ata kanë dhënë maksimumin, falënderoj edhe kampionet e Vllaznisë, me kualifikimin e një turi në Champions, iu bashkua ekipit të meshkujve.
Prioritetet: futbolli i femrave dhe zhvillimi i futbollit të fëmijëve, kanë marrë vëmendjen tonë maksimale. Kanë marrë jetë shumë projekte, iniciativa, të afrojmë sa më shumë djem e vajza në ekipin tonë.
Kemi hedhur bazat e një bashkëpunimi me universitetet sportive. Po punojmë për implementimin e projektit të 100 fushave. Ky projekti ambicioz do të kërkojë shumë përkushtim, por do të përmirësojë ndjeshëm gjendjen e infrastrukturës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




