Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka dorëzuar në Kuvend ndryshime në ligjin për bujqësinë, duke thjeshtuar kriteret dhe zgjatur periudhat për subvencionet që u ndahen fermerëve.
Në relacionin e aktit të depozituar në Kuvend, Duka thotë se projektligji ka pesë objektiva kryesorë. Së pari, të ofrojë mbështetje jo më pak se 5 vite në sektorë të caktuar duke përcjellë mesazhe të qartë afatgjata për sektorët specifikë me qëllim nxitjen e investimeve.
Së dyti, zgjerimin e fermerëve përfitues që mbështeten nga skemat e subvencioneve direkte.
Së treti, ndërhyrje për të rregulluar tregun në rastet e krijimit të stoqeve për arsye objektive dhe vendimeve kufizuese të autoriteteve publike.
Së katërti, uljen e varfërisë, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në zonat rurale ku bujqësia është sektori kryesor i punësimit.
Së pesti, përfshirja aktive e shërbimit diplomatik në dhënien asistence për eksportuesit dhe mbrojtja e tyre në marrëdhëniet me vendet ku eksportohet.
Ndryshimet e propozuar synojnë gjithashtu që shteti të mbulojë shpenzimet për kryerjen e analizave të tokës dhe të ujit, ngrenë një agjenci që monitoron tregjet dhe orienton fermerët për produktet që duhet të zhvillojnë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.