Kombetarja

Duka pas suksesit kuqezi: Lojë bindëse dhe karakter, të bashkuar shkojmë në Europian

Gazeta Si – Eliminatoret e qershorit shkuan ndoshta më mirë nga sa mendohej për Shqipërinë. Kombëtarja jonë arriti objektivin e saj, mori 6 pikë në 2 sfidat me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, ndërsa humbja e Polonisë rivale u dha më shumë vlerë këtyre sukseseve. Kuqezinjtë e shohin veten në vend të 2-të, pozicion që të çon në Europian, por tani vjen edhe më e vështira: ky vend duhet ruajtur.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka përshëndetur dy fitoret e Kombëtares me një postim në faqen e tij, ku thekson se skuadra ka bindur në çdo aspekt dhe se bashkë me tifozët ajo mund të arrijë objektivin e Euro 2024.

Duka me stafin kuqezi gjate prezantimit. Gazeta Si, 21 qershor 2023

‘Mision i përmbushur! Qershori kuqezi mbyllet në mënyrën më të mirë. Dy fitore, lojë bindëse, karakter dhe shumë grintë. Nuk ishte aspak e lehtë, duke parë kundërshtarët dhe faktin që lojtarët vinin pas një sezoni të gjatë dhe impenjativ.

Faleminderit të gjithë djemve dhe stafit teknik. Një mirënjohje të madhe dhe për tifozët tanë fantastikë, që nuk munguan as në këtë transfertë të largët.

Shtatori na rezervon dy ndeshje të rëndësishme, ku të gjithë bashkë duhet të japim maksimumin për të arritur objektivin tonë: Gjermani 2024. Të bashkuar, lojtarë, staf teknik, tifozë, media e opinion publik, jemi të pandalshëm”, – shkruan Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë