Kombetarja

Duka mesazh çekëve: Jo rastësisht të dytët! Silvinjo bën shqiponjën me ‘Skënderbeun’

Gazeta Si – Kuqezinjtë mbyllën sot në mbrëmje përgatitjet për ndeshjen me Çekinë në stadiumin, ku do të luhet ndeshja e nesërme. Trajneri Silvinjo ka dhënë udhëzimet e fundit për të tijtë, ndërkohë që atmosfera duket mjaft pozitive në skuadër dhe jashtë saj.

Edhe pse është përpara një ndeshje mjaft delikate, trajneri brazilian ka gjetur pak kohë për tifozët kuqezi që ndodhen në Pragë. Ai është ndalur, ka bërë disa foto me ta, në një moment ka bërë me duar edhe shenjën e shqiponjës me një tifoz që mbante në kokë një përkrenare si ajo e Skënderbeut. Tifozët i kanë shijuar ato çaste me të parin e stolit kuqezi.

Silvinjo bashkohet me tifozët në Pragë. Gazeta Si, 6 shtator 2023

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, sigurisht pranë Kombëtares në Pragë, e pret me shumë entuziazëm ndeshjen me Çekinë. Ai ka një mesazh për çekët, të cilëve u kujton se Shqipëria nuk është rastësisht e dyta.

“Tashmë që kemi 6 pikë dhe jemi në vend të dytë në grup, pesha e këtyre ndeshjeve bëhet më e madhe për të shkuar drejt objektivit tonë, Euro 2024. Çekia është ekipi kryesues i grupit, fizikisht i fortë, por edhe ne jemi në të njëjtin nivel. Ndeshja do të jetë e hapur.

Është e vështirë të bësh llogari dhe duhet të fitosh gjithmonë për të qenë më i sigurt. Do të jetë e rëndësishme që futbollistët të jenë të qetë dhe të japin atë që kanë. Mund të arrijmë diçka, nuk jemi rastësisht të dytët në grup”, – është shprehur Duka për ‘Klan’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë