Gazeta Si – Një ditë pas ndeshjeve të Ligës së Konferencës, ku merrnin pjesë 3 skuadra të Superiores, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka bërë një postim të shkurtër inkurajues. I pari i futbollit shqiptar shpreh besimin se Partizani kampion, si dhe Tirana, Vllaznia dhe Egnatia, mund të kalojnë në turin e dytë eliminator.
“Dëshiroj t’i uroj shumë suksese skuadrave tona në Champions& Conference League, në nisje të javës që i çon te ndeshjet e kthimit. Me mbylljen e ndeshjeve të para, ku patën mundësi të njohin më mirë kundërshtarët, jam besimplotë se skuadrat tona do të arrijnë të sigurojnë kalimin për më tej.

Kanë të gjithë potencialin dhe cilësitë për tu përballur si të barabartë dhe të nderojnë futbollin tonë në arenën ndërkombëtare”, – shkruan Duka në postimin e tij të shoqëruar edhe me 4 foto nga ndeshjet e secilës prej skuadrave tona në Europë.
Në 4 ndeshjet e para në fakt asnjë nga këto 4 skuadra nuk mundi të fitonte, por kualifikimi mbetet i hapur. Më të vështirë e ka Vllaznia, që humbi 3-1 në Belfast, kurse Partizani, Tirana dhe Egnatia barazuan me të njëjtin rezultat, 1-1. Nga të gjitha skuadrat shqiptare, shanset më të mëdha për të kaluar në turin e dytë, të paktën në letër, i ka Egnatia.
Rrogozhinasit dominuan ndaj armenëve të Ararat dhe ndeshjen e kthimit e luajnë në Shqipëri, ashtu si Vllaznia që duhet të bëjë një përmbysje të madhe në Shkodër. Partizani luan në fushë neutrale me Bate Borisov, kurse Tirana shkon në Gjeorgji të enjten e ardhshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




