Futboll

Duka flet si zyrtar i UEFA-s

Që prej ditës së djeshme Armando Duka është anëtarë i qeverisë europiane të futbollit, UEFA. Pasi dështoi dy vite më parë të ulej në karrigen e komitetit ekzekutiv, këtë herë numri një i FSHF-së ia ka dalë që të marrë votat e nevojshme. Pas kësaj zgjedhje, Duka ka folur për herë të parë nga aeroporti i Rinasit, ku u prit nga gazetarët. Për Armando Dukën, kjo është një arritje për futbollin shqiptar në tërësi dhe jo vetëm për të personalisht.

“Besoj se është mirë për futbollin shqiptar, për FSHF-n, që është e përfaqësuar në këtë organ ekzekutiv. Në fakt nuk është një rastësi, kemi tentuar edhe para dy vjetësh. Ka kohë që përfaqësohemi në të gjitha komitetet e UEFA-s. Garat gjithmonë janë të vështira, duke qenë se vjen nga një vend modest, nga një federatë modeste, të bindësh 36 anëtarë nuk është e lehtë”-ka thënë Duka

I ngacmuar nga pyetja e gazetarëve, nëse zgjedhja e tij mund të sjellë ndonjë përfitim it direkt për futbollin shqiptar, apo më konkretisht për çështjen e dënimit të Skënderbeut, Armando Duka u tregua diplomat. Presidenti i FSHF tha se pozicioni i tij është më shumë për koordinimin e politikave të këtij organizimi.

“Nuk është se funksionon kështu, nuk është se UEFA lejon atë që është në qeveri të marrë një pjesë të madhe nga torta për vendin e vet. Po të gjithë bashkë kontribojnë për mbarëvajtjen e futbollit në Europë, për zhvillimin apo arritjen e objektivave dhe realizimin e strategjive që ka vendosur UEFA, të cilët punojnë të gjitha administratat apo Komiteti Ekzekutiv.”

Ndërkohë sa i përket çështjes së përmirësimit të infrastrukturës, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, ishte më konkret, duke thënë se vendi meriton më shumë në këtë plan, madje do të kërkojë të organizojë një finale të madhe të futbollit kontinental.

“Ne meritojmë, që me përmirësimin e infrastrukturës, të organizojmë aktivitete ndërkombëtare. Pse jo edhe një finale të Superkupës së Europës apo Nations Legue. Këtë vit ne kemi objektiv që në Shqipëri që në qershor të luajmë në stadiumin kombëtar në ndeshjen kundër Moldavisë”.

Lidhur me stadiumin “Arena Kombëtare” që është në fazën e tij finale, Armando Duka tha se ai do të mbarojë para muajit qershor dhe do të jetë gati për të pritur ndeshjen Shqipëri-Moldavi, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian 2020.

“Ndeshja zyrtare me Moldavinë është data zyrtare. Afati i përcaktimit apo i njoftimit të stadiumit ka qenë dje dhe ne kemi lajmëruar UEFA-n si organizatore që do të jetë stadium i Tiranës. Kjo ndodh për t’i dhënë një objektiv vetes, kompanisë, Bashkisë, e cila ka disa gjëra për të bërë në sheshin përpara, për ta përfunduar në këtë kohë dhe për të bërë një ndeshje test miqësore para saj dhe për të zhvilluar ndeshjen kundër Moldavisë, në qershor.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë