Futboll

Duka: Do tentojmë për vendin e dytë në grup, statuti nuk pengon asnjë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka bërë një bilanc të vitit 2020 dhe ka analizuar ngjarjet kryesore të futbollit shqiptare. Kreu i qeverisë së futbollit ka folur për pandeminë dhe impaktin që Covid-19 pati gjatë këtij viti të vështirë, ndrysa ka bërë edhe një bilanc të Kombëtares dhe ekipeve zinxhir kuqezi.

Gjithashtu, Presidenti Duka ka prekur edhe çështjen e bojkotit të klubeve dhe shpreson akoma që qeveria të ndihmojë sportin, duke plotësuar kërkesat e drejta të komunitetit të futbollit, ndërkohë që sa i përket objektivave ai shprehet se Kombëtarja do të tentojë të arrijë në play-off-in e Botërorit 2022 pavarësisht se përballë do të ketë rivalë mjaft të fortë.

2020- Ishte realisht vit i vështirë. Vit i vështirë sepse ka ndikuar apo ka cenuar atë që është më e rëndësishmja e bazës së jetës, shëndetin. Kështu që përderisa jemi sulmuar të tërë nga virusi Covid-19, ka destabilizuar jetën, ka destabilizuar mënyrën e aktiviteteve në përgjithësi, ka destabilizuar pa dyshim edhe futbollin. Ka ndikuar direkt edhe indirekt tek ai. Por gjithsesi, unë mendoj se duhet ta shohim përsëri 2020-n, le të themi gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Kemi mësuar disa gjëra, kemi mësuar edhe të jetojmë ndryshe apo të bashkëjetojmë me një virus. Kemi mësuar edhe të luftojmë me të. Kemi mësuar që duhet të jemi më shumë bashkë edhe më shumë solidarë dhe të ndihmojmë sa më shumë njëri-tjetrin se në fund të fundit kjo është gjëja më e rëndësishme.

Kështu që duhet të jemi të gëzuar dhe të kënaqur ne që jemi mirë e shëndoshë dhe që sot vazhdojmë të jemi edhe në 2021-shin, por gjithsesi kemi pasur humbje që na kanë lënë shenja dhe histori negative, për të cilat ne duhet të ngushëllojmë të gjithë ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur apo ato që u infektuan dhe kanë pasur probleme. Gjithashtu, duhet të falënderojmë ata që na kanë ndihmuar gjatë 2020-s, të cilët ne si Federatë i kemi konsideruar si Kombëtarja jonë e 2020-s, ekipin e mjekëve të të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë ata që kanë shërbyer të gjithë shoqërisë tonë.

Bojkoti- Kam qenë në mbështetje të kërkesave, madje sporti ka nevojë edhe për më shumë gjëra se sa janë kërkuar aty. Disa nga kërkesat e Ligës janë keqinterpretuar apo keqpërdorur për arsye politike për të thënë që ka apo nuk ka të drejtë Liga.

Liga realisht ka kërkesa të drejta. Është bërë një lloj demagogjie me të nga disa personazhe politikë mbase, por në asnjë rast nuk kanë pse mendojnë se i kanë mashtruar përfaqësuesit e sportit apo përfaqësuesit e Ligës, sepse në njëlloj mënyre kanë mashtruar veten e tyre. Sporti nuk është as për përfaqësuesit e Ligës, as për përfaqësuesit e klubeve, por sporti dhe futbolli janë për fëmijët tanë dhe për atë që ne do i lëmë atyre dhe çfarë baze ne do i ndërtojmë atyre për ta parë të ardhmen këtu.

Qoftë edhe për këtë pjesë të jetës të rëndësishme për mua në sport. Realisht nuk kemi asnjë reagim pozitiv, me gjithë premtimet që na janë bërë nga qeveria që deri në fund të vitit do kishim të paktën një fond për sportin, që nuk ekziston në Shqipëri. Uroj që në të ardhmen të mendojnë ndryshe. Mos ta mendojnë si një luftë me presidentë apo përfaqësues klubesh, por ta mendojnë si një detyrim për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e fëmijëve që duan të luajnë futboll. Pa pasur një ndryshim, një bazë ligjore të shëndoshë, pa pasur një infrastrukturë të mirë, është shumë e vështirë që të zhvillosh futbollin në nivelet që kërkon viti 2021 apo në nivelet që kërkon dëshira e të gjithë shqiptarëve, të paktën për të luajtur futboll.

Kështu që përkrahja e tyre nuk është një përkrahje që kërkon një faturë financiare të pakthyeshme, apo një lëmoshë apo një donacion nga shteti. Jo! Vetëm politikat shtetërore apo investimet për sportin. Të bësh disa fusha futbolli, janë të papërfillshme për buxhetin e shtetit krahasimisht me të gjitha gjërat e tjera, krahasimisht me impaktin që ka se sa fëmijë luajnë futboll. Dhe rikthimi i investimeve në futboll është i padiskutueshëm. Ne këto i kemi edhe të provuara, të studiuara dhe do ta bëjmë edhe publike një studim të ekspertëve më të mirë europianë për këtë çështje. Këto investime kthehen shumë shpejt. Dhe sot, pavarësisht se thuhet se futbolli shqiptar ka një impakt të vogël, por sot futbolli shqiptar në ekonomi ka një impakt prej 50 milionë euro në vit. Dhe duke pasur një impakt 50 milionë euro në vit unë mendoj që ia vlen të investosh në të, që pas 2-3 vitesh të kesh 150 milionë euro impakt dhe jo 50.

Kategoria Superiore-  Viti 2020 ka qenë vit i vështirë, ka ndikuar në performancën e futbollistëve dhe ekipeve. Dhe unë nuk mendoj se ka pasur ndonjë rritje kualitative le të themi gara, sepse në një garë, kur 5 futbollistë i ke jashtë me Covid, që nuk duhet të stërviten një muaj dhe duhet të rikthehen dhe ndërprerje, etj., padyshim që edhe nuk mund të pretendojmë për një rritje cilësie. Por një rritje konkurrence po. Ka pasur konkurrencë. Por faktikisht edhe në edicionin e kaluar, relativisht konkurrenca ka qenë e tillë. Ka pasur konkurrencë dhe të gjithë ekipet janë në garë dhe të gjithë ekipet mund të vazhdojnë të pretendojnë titullin. Të gjithë ekipet e Kategorisë Superiore.

Rezultatet kanë qenë interesante. Ka pasur edhe lojëra të bukura në fakt, ka pasur një rikthim simpatik të Vllaznisë, pas shumë vitesh vuajtje, tashmë në vendin e parë, me lojëra të bukura, me gola të shënuar, me një organizim akoma më të mirë. Ekipet e tjera të cilat nuk mbeten pas nga pikëpamja sportive, Partizani që fitoi ndeshjen e fundit kundër Kukësit, por gjithsesi Kukësi mbetet një ekip solid, i mirë, me kualitet. Tirana, Teuta, Laçi ka një ekip i cili mund të pretendojë. Kështu që gara është e bukur për mua deri tani dhe uroj të vazhdojë e bukur deri ditën e fundit.

Statuti- Statuti nuk ka asnjë ndryshim në këtë pikë. Para se të vija unë në Federatë dhe pasi jam unë, kjo pikë nuk ka ndryshuar asnjëherë. Ka qenë pa asnjë presje, që të jesh president i Federatës së Futbollit duhet të jesh rezident në Shqipëri. Dhe unë e konsideroj të drejtë. Kjo nuk do të thotë që nëse ti jeton jashtë dhe je shqiptar dhe nuk ke të drejtë të kandidosh. Duhet të vish në Shqipëri, të thuash që do të konkurroj për president të FSHF-së, por gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës duhet të jesh rezident në Shqipëri. Dhe unë mendoj që është logjike. Është e vështirë ta bësh nga jashtë. Gjithsesi nuk është një gjë që ka lidhje me ndryshime, siç dikush ka dashur ta interpretojë ashtu. Nuk ka asnjë lidhje.

Përsa i përket personave politikë, tendenca për shkëputjen e politikës me sportin ka qenë e përhershme, në të gjitha ndryshimet e statutit në shkallë të ndryshme. Në ndryshimin e fundit akoma më shumë. Janë vënë disa kritere tani, që pengojnë vërtetë vartësinë politike të FSHF-së nga ndonjë parti politike. Kështu që janë politika të qarta, jo vetëm të FSHF-së, por të gjithë Federatave të Europës. Madje, Kosova që ne e kemi afër, pikërisht këtë ndryshim e ka bërë që 3 vite më parë. Madje, edhe deputetët më duket se i ka përjashtuar nga kandidimi. Nuk ka asnjë të keqe. Federata e Futbollit duhet të menaxhohet dhe drejtohet nga njerëzit që mendojnë vetë njerëzit e futbollit.

Kombëtarja- Testi ishte i vështirë, sepse ishte në kohë të vështira. Në kohë pandemie, ku trajneri nuk mund të parashikonte formacionin me të cilin do të luante në ndeshjen e ardhshme, për arsye të protokolleve, për arsye të infektimeve me Covid-19, për arsye të moslejimit të futbollistëve nga disa shtete për të marrë pjesë në aktivitet. Pra, ka qenë vërtetë i veçantë, i vështirë, por gjithsesi në fund mund të themi që ia dolëm mbanë. Nuk mund të themi që ia dolëm me bindje. Ishte më shumë një aktivitet për t’u mbaruar dhe le të themi për t’u fituar se sa testi real për këto arsye.

Por në një farë mënyre për ta parë gjysmë plot gotën, kjo na bëri që të testojmë më shumë futbollistë të rinj, të cilët vërtetë bënë një paraqitje të mirë dhe të cilët vërtetë i japin shpresë ekipit për të ardhmen, na japin më shumë besim për të ardhmen. Mbase po të mos ishim në kushte të pazakonta iniciativa për t’i aktivizuar këto të rinj 18-19 vjeçarë, që është e paprecedentë në Shqipëri, do të ishte paksa më e stepur, pra nuk do ta merrnim këtë iniciativë. Kështu që në këtë këndvështrim më mirë që kemi aktivizuar të rinj, testin nuk mund ta konsiderojmë real. Test real do të jetë nëse në eliminatore do të kthehen tifozët, do të përfundojë kufizimi i lëvizjeve dhe çdo ekip do të ketë të gjitha potencialet e veta në dispozicion, siç shpresojmë të jetë viti 2021.

Asnjë skuadër pothuajse në Europë nuk është e lehtë, asnjë ndeshje nuk ftohet në letër, asnjë ndeshje nuk humbet në tavolinë. Kështu që duhet t’i përgatisësh mirë. Padyshim që procedura me të cilën hidhet shorti, vazot nga vijnë, niveli i ekipeve, Anglia është një ekip shumë i mirë. Hungaria gjithashtu ka një moment shumë të mirë dhe fatkeqësisht kemi një histori shumë të keqe me hungarezët. Shqipëria nuk ka fituar asnjëherë në të gjithë historinë e saj kundër Hungarisë. Polonia një ekip tjetër shumë i madh me lojtarin më të mirë të vitit në formacion, por edhe me shumë talente të tjera e që kanë bërë mirë. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet t’i provojmë të gjitha shanset tona. Çdo pozicionim nga vendi i parë e deri te treti do të ishte i kënaqshëm, por gjithsesi duhet të tentojmë për të shkuar në play-off.

Ne akoma pretendojmë të shkojmë në play-off qoftë edhe nga Nations League apo nga vendi i dytë i eliminatoreve të Botërorit, por në renditjen e Nations League ne jemi në vendin e 11-të dhe nëse le të themi 9 nga këto skuadra të kësaj renditjeje do të pozicionohen në vendet e para dhe të dyta në eliminatoret e Botërorit atëherë ne mund të sigurojmë një vend në play-off nga Nations League.

Faktikisht, prandaj ajo fitorja e munguar me Lituaninë do të na peshojë, sepse po ta kishim fituar atë ndeshje në Tiranë mbase nuk do të ishim në vendin e 11-të, por mund të ishim në vendin e 10-të dhe shanset tona për play-off do të ishin edhe më të mëdha. Ne kemi një skuadër kompetitive dhe unë kam besim se mund të luajmë si të barabartë ndaj çdo kundërshtari. Ne na ka marrë edhe Andorra barazim në Elbasan në nëntor të 2019-s, por ne mund të fitojmë kundër Anglisë në Tiranë padyshim.

Stafi teknik– Do të riorganizojmë të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, sepse u ka përfunduar kontrata të gjithëve. Mund të ketë rikonfirmime, mund të ketë lëvizje, kjo do të jetë pjesë e diskutimeve. Ne kemi bërë një riorganizim total teknik në FSHF, kështu që do të ulemi bashkë me stafin teknik së shpejti.

Camolese është një njohje e vjetër e FSHF, madje ne 10 vite më parë kemi diskutuar me të edhe mundësitë e të qenit trajner i ekipit kombëtar dhe në atë kohë në Shqipëri do të vinte Gianni De Biasi. Është vërtetë një profesor i botës së futbollit, i nivelit akademik. Është lektor në Koverçiano, ka qenë trajner i Torinos dhe autor i shumë librave apo studimeve për futbollin. I kemi propozuar që të jetë drejtor teknik i FSHF-së me shumë dëshirë dhe mendojmë që e bën shumë mirë atë punë. Kemi nisur një lloj bashkëpunimi që në verë, por ai akoma nuk e kishte vendosur nëse do të vinte përfundimisht, në një kohë që i ka shërbyer kjo periudhë për të njohur ambientin dhe për të propozuar projektin e tij në lidhje me strategjinë teknike, që ne mendojmë se duhet të bëjë drejtori teknik bashkë me drejtorinë teknike. Duket sikur jemi në momentet finale, por realisht akoma sot ne nuk kemi bërë një kontratë me Camolesen dhe uroj që brenda janarit kjo të ndodhë dhe ai të nisë punë zyrtarisht.

Conference League- Është vendim historik për futbollin shqiptar dhe për Shqipërinë në përgjithësi. Nuk ka pritur ndonjëherë Shqipëria aktivitete të rëndësishme të këtij niveli, sportive jo e jo, por edhe në fusha të ndryshme. Ka kohë që ka qenë një objektiv i joni, qysh në nisje të ndërtimit të stadiumit, madje gjatë fazës së projektit ne kemi aplikuar për të qenë pjesë e garave për të marrë finalen e një kompeticioni europian në Tiranë.

Por nuk është thjesht një aplikim, një kërkesë, por është një volum i madh pune, që administrata e Federatës e ka bërë shumë mirë në bashkëpunim me të gjithë aktorët e tjerë, të cilët kanë qenë të gatshëm dhe shumë miqësorë me ne në mënyrë që të paraqisnim një prezantim sa më serioz. Nga të gjithë, nga institucionet shtetërore, nga sipërmarrësit në fushën e turizmit, aeroporti, etj., na kanë ndihmuar që ne të bëjmë një prezantim sa më të mirë dhe kjo ka bërë që ne t’i bindim vendimmarrësit që Shqipëria vërtetë mund të organizojë një finale të tillë.

Jemi rrëzuar në një garë, kemi fituar në një garë tjetër dhe realisht objektiv më i bukur për ne ishte Conference League për arsyen se është historike finalja e parë e një turneu dhe do të mbetet pikërisht në histori kjo ndeshje e luajtur në Tiranë. Jam i bindur që edhe Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka marrë vendimin e duhur, padyshim që nuk janë penduar, sepse ne edhe të gjithë aktorët e tjerë që përmenda, do të organizojmë një aktivitet perfekt për ta kthyer këtë në një mundësi për Shqipërinë dhe jo vetëm për futbollin shqiptar. Ky nuk është thjesht një benefit ekonomik. Padyshim që kjo nuk mungon, sepse shumë njerëz do të hyjnë dhe dalin në Tiranë gjatë kësaj periudhe, por është edhe një benefit për të prezantuar vendin tonë në Europë dhe unë mendoj që ky është benefiti më i madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë