Në një intervistë të fundit përmbledhëse për vitin që po lëmë pas, presidenti i Federatës Shqiptare të futbollit, Armand Duka, ka folur për disa tema, por fokusi ka qenë kryesisht te Kombëtarja.
Për Dukën, edicioni i fundit është pzoitiv, pavarësisht situatës me pandeminë dhe ndonjë “pengu” që kreu i FSHF-së ka për ndonjë ndeshje të caktuar. “Pandemia ndikoi jo pak në të gjitha fushat e jetës, edhe në sport. Megjithatë, konstatoj me kënaqësi që futbolli shqiptar ka bërë disa hapa përpara në nivelin ndërkombëtar, me rezultate historike apo rekorde. Pa vështirësitë e pandemisë jam i sigurt që do të arrinim më shumë.

Ishte edicion i bukur, me emocione deri në fund, pasi ëndërruam kualifikimin për në Botëror. Kundër Hungarisë shënuam për herë të parë dhe fituam për herë të parë. Një lloj pengu për mua dhe skuadrën është ajo ndeshje ndaj Polonisë në Tiranë, pasi kishim 3 dëmtime dhe humbëm edhe 3 futbollistë për shkak të koronavirusit. Megjithatë, duhet konsideruar edicion shumë i mire”, – ka theksuar Duka në intervistën për “Supersport”.
Më tej, Duka është ndalur te rinovimi i Kombëtares: “Rinovimi është një proces që vjen natyrshëm, nuk është se bëmë revolucion. Kemi një gërshetim mjaft të mirë të futbollistëve me eksperiencë dhe atyre të rinj. Një shans na e dha edhe Liga e Kombeve, ku dolëm edhe të parët në grup dhe përgatitëm disa futbollistë.

Kemi lojtarë premtues, si Broja e Kumbulla, por edhe të tjerë tek U-21-shi, që janë gati të debutojnë me ekipin e parë. Asllani ka qenë titullar i Shpresave, por edhe Mitaj që ka qenë edhe më herët mendoj se janë gati të japin kontributin e tyre në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve”.
Presidenti Duka ka komentuar edhe cështjen e Brojës në Kombëtare dhe qëndrimin e trajnerit Reja për të: “Ka diferencë të madhe mes një 76-vjeçari si Reja dhe një 20-vjeçar si Broja, por kam vlerësime maksimal për të dy nga pikëpamja sportive. Broja është futbollist me talent, por nuk mund të themi ende që është një lojtar i madh, i duhet akoma kohë dhe punë.

Ka potencial dhe të gjithë ne duhet të jemi pozitivë për ta shtyrë të bëhet një futbollist i madh për veten dhe Kombëtaren, pasi nuk na vijnë përditë talente të tillë. Ndihma që duhet t’i japim është të jemi realë, jo ta fërkojmë kur gabon. Të gjithë jemi njerëz që gabojmë, por kur vihen në dukje kritikat është e rëndësishme t’i korrigjojmë ato, jo të reagojmë keq.
Kam shumë besim që ai do të na ndihmojë, siç do të na ndihmojnë edhe të gjithë të tjerët. Futbolli është lojë kolektive dhe askush nuk mund ta marrë rezultatin i vetëm, ndaj duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin në çdo milimeter. Nuk ka debat, por thjesht kritika”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




