Futboll

Duka: Bastet duhen ligjëruar, turp për mua që na e ka kaluar Kosova!

Gazeta Si – Në kryeministri është zhvilluar sot një dëgjesë publike në lidhje me çështjen e basteve sportive, duke qenë se kohët e fundit është kërkuar me insistim rihapja e tyre. Bastet janë mbyllur ligjërisht që në vitin 2019.

Kanë marrë pjesë përveç kryeministrit Rama edhe ministrat Kushi e Çuçi, presidenti i KOKSH-it Fidel Ylli dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Këta dytë të fundit kanë kërkuar fort së fundi rihapjen e basteve, duke theksuar se ndihmon sportin në tërësi nga vjelja e taksave dhe ligji i sponsorizimit.

Armand Duka. Gazeta Si, 31 gusht 2022

Armand Duka theksoi në fjalën e tij se bastet i ka gjithë bota, mjafton të veprohet sipas ligjit: “Më behet qejfi, kur Rama tha se ministrja ka kaluar në krahun tonë për rikthimin e basteve, sepse ka qenë skeptike. Kur e kam propozuar, nuk kemi bërë shpikje.

Kemi parë që bastet sportive luhen në gjithë botën. Ne themi që ato që luhen të luhen në mënyrë të ligjshme. Në një farë mënyrë liron edhe Ministrinë e Brendshme, sepse çdo aktivitet i paligjshëm krijon kriminalitet dhe ka shpenzime më shumë për buxhetin e shtetit.

Nuk kemi menduar shumë për gjëra të tjera, por si një burim financimi për sportin. Do t’i përdorim paratë për infrastrukturën sportive”, – tha Duka.

Më tej, krye i FSHF-së bëri krahasimin me Kosovën: “Turp për mua dhe për gjithë komunitetin, që Kosova për 3 vjet na kaluar në 10 vende. Ka bërë ligjin e sponsorizimeve dhe na ka kaluar. Veç basteve duhet riparë një shtrat i tërë ligjor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë