Kampionët e Azerbajxhanit në shtatë kampionatet e fundit, Qarabag FC, shpresonte për një lloj tjetër fitore që kur lufta u kthye në rajonin nga ku ata u detyruan të arratiseshin gati 30 vjet më parë. Klubi në mërgim, i njohur si “Barcelona e Kaukazit”, ka ambicien morale, sportive dhe politike të kthehet në Aghdam, qytetin afër vijës së frontit të një konflikti me forcat etnike armene në enklavën e Nagorno-Karabakh. Qëndrimi i Qarabag ka gjetur mbështetje në të gjithë Azerbajxhanin, por ka shkaktuar polemika diku tjetër. Klubi është kritikuar nga UEFA për një përshëndetje ushtarake gjatë një ndeshje në Poloni muajin e kaluar. “Ne thjesht donim të mbështesim popullin Azer në një kohë kaq të vështirë, të mbështesim ushtarët që çlirojnë tokat tona,” tha Maksim Medvedev, kapiteni 31-vjeçar i Qarabag, për Reuters në qendrën sportive të klubit në buzë të kryeqytetit Baku.

Enklava e Nago-Karabakut dhe shtatë rajoneve përreth, duke përfshirë Aghdam-in, njihen ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit por të populluara dhe të kontrolluara nga armenët etnikë, të cilët pretendojnë se është pjesë e atdheut të tyre. Luftimet e fundit filluan më 27 shtator dhe janë më të këqijat në rajonin e Kaukazit meridional për mbi 25 vjet. Bilanci i viktimave kaloi 1.000 dhe mund të jetë shumë më i lartë. Qarabag u largua nga Aghdam në 1993, së bashku me shumicën e popullsisë etnike azere. Rreth 30,000 njerëz u vranë në luftën nga 1991-94, duke përfshirë trajnerin e atëhershëm të Qarabag, Allahverdi Bagirov. “Shpresoj, me dëshirën e Zotit, që të vijë dita kur Qarabag FC do të vendoset zyrtarisht në tokën e tij,” tha Medvedev, një rus i lindur dhe rritur në Baku. Ai flet të dy gjuhët dhe është gjithashtu kapiten i ekipit kombëtar të Azerbajxhanit: “Nuk do ta besonit se sa njerëz vinin në ndeshjet tona dhe sa entuziastë ishin,” tha ai, duke iu referuar ndeshjeve të luajtura në Aghdam. “Njerëzit ngjiteshin në gardhe dhe vareshin ose uleshin atje për të gjithë ndeshjen.”

Asnjë spektator nuk lejohet sot të shikojë ndeshjet në shtëpi të Qarabag në Azersun Arena të Baku për shkak të pandemisë. Brenda stadiumit, në një mur të zbukuruar me flamuj të lënë nga kundërshtarët e së kaluarës, varet një kujtim i një klubi tjetër ish-sovjetik i privuar, për shkak të luftës, nga shtëpia e tyre: kampionët e Ukrainës të Shakhtar Donetsk që luajnë ndeshjet brenda diku tjetër që nga viti 2014. Në fushën e stërvitjes së klubit, lojtarët vrapojnë në hijen e tabelave gjigande që lajmërojnë komentet më të fundit të Presidentit Ilham Aliyev në Twitter, listat e zonave të humbura dhe të rikuperuara. Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re në Jerevan. Federata Armene e Futbollit i bëri thirrje të shtunën për përjashtimin e Qarabag nga garat evropiane për komente, të fshira më vonë, të bëra nga një zyrtar i klubit në mediat sociale. Federata tha, në një deklaratë, se kishte depozituar ankesa të shumta në UEFA dhe FIFA rreth “publikimeve luftarake, sjelljes militariste dhe postimeve anti-armene të përfaqësuesve të ndryshëm të futbollit Azerbajxhan”.
Për shkak të mungesës së sigurisë dhe akomodimit në këto dy shtete, qeveria europiane e futbollit ka vendosur që sfidat të luhen në stadium asnjanës si për Azerbajxhanin, ashtu edhe për Armeninë. Qarabag, i cili luajti të enjten ndeshjen e tyre në shtëpi të grupit të Europa League në Stamboll, dominoi kampionatin vendas së fundmi nën drejtimin e trajnerit Gurban Gurbanov, shënuesi më i mirë i të gjithë kohërave me ekipin kombëtar të Azerbajxhanit. “Aghdam është qyteti ynë, një qytet azer dhe Qarabag duhet të luajë në shtëpi,” tha Gamid Gamidov, një banor i Baku dhe mbështetës i klubit. “Kudo ku është i vendosur, unë jam i sigurt se i gjithë Azerbajxhani do të vazhdojë të mbështesë Qarabag”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




