Gazeta Si – Ëndrra amerikane e shqiptarëve për të luajtur në Botërorin e kësaj vere, është shuar në Prishtinë, me Kosovën që është mposhtur 0-1 nga Turqia në finalen e “play off”-it.
Pavarësisht rasteve të mira për gol, Kosova nuk pati fat për ta çuar topin në rrjetë, ndërsa Turqia me një gol të Arkturkoglu arriti të kualifikohet për në Kupën e Botës duke u rikthyer pas 24 vitesh mungesë.

Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e kujdesshme nga të dyja skuadrat, por rasti më i pastër ishte për vendasit. Në minutën e 29-të, Fisnik Asllani provoi me një goditje të fuqishme nga distanca, por portieri Uğurcan Çakır devijoi topin, që më pas u përplas në traversë.
Fraksioni i dytë nisi me gol për Turqinë. Pas një aksioni të ndërtuar nga Kenan Yıldız, tentativa e Orkun Kökçü u shfrytëzua në maksimum nga Kerem Aktürkoğlu, i cili dërgoi topin në rrjetë. Pretendimet e Kosovës për pozicion jashtë loje nuk u morën parasysh nga arbitri.

Në vazhdim, Kosova kërkoi me ngulm golin e barazimit, por pa sukses, edhe pse në fushë trajneri Foda aktivizoi yjet e Kosovës, si Zhegrova dhe Rashica.
Në fund, Turqia feston rikthimin në Botëror pas vitit 2002, ndërsa Kosova largohet me kokën lart pas një rrugëtimi për t’u vlerësuar në këto kualifikuese.
Vetëm dhjetë vite pas pranimit në FIFA dhe UEFA, Kosova preku një nga arritjet më të mëdha në futboll, teksa grupet e Kupës së Botës do ishin realizimi i një ëndrre të kahershme për ‘Dardanët’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje