Motosport

Duel shumë i fortë në Bahrein, në fund fiton eksperti Hemilton

Gara e parë e sezonit të Formula 1 është vendosur në 3 xhirot e fundit. Ljuis Hemilton ka menaxhuar më mirë gomat, u parakalua nga Vershtapen, por holandezi gaboi trajektoren më pas dhe i riktheu pozicionin anglezit.

Nuk duhet menduar kurrë se Mercedesi ka “vdekur” dhe aq më shumë fenomeni Ljuis Hemilton. Kampioni i botës fitoi Çmimin e Madh të Bahreinit, duke administruar mjaft mirë sulmin e Maks Vershtapen dhe Red Bull-it, aktualisht skuadra me makinat më stabël. Por Ljuis ka “7 jetë” dhe pas testeve të vështira të 2 javëve më parë, fitoi garën e parë.

Renditja pas garës së Bahreinit. Gazeta Si, 28 mars 2021

Ishte një duel i vërtetë kampionësh. Mercedesi dhe mbi të gjitha Hemilton treguan se i kishin riparuar me shpejtësi problemet. Anglezi iu përgjigj shumë mirë Vershtapenit, sidomos në fazën finale të garës. Ai alternoi shpejtësinë me menaxhimin e gomave, ashtu siç di të bëjë Hemilton. Sigurisht, u ndihmua edhe nga dalja nga pista e holandezit, pasi ky i fundit e kishte parakaluar. Ljuis u bë sot piloti me më shumë xhiro në krye ta garave në Formula 1.

Forca e tretë është konfirmuar MekLaren, me vendin e 4-t të fituar nga Lando Norris, që doli para Serxhio Perezit. Ferrari ngushëllohet me vendin e 6-të të Leklerk, kurse Sainz e mbylli garën në vend të 8-të, pas Riçardos. Garë e dobët për Sebastian Fetel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë