Para

Dubai, “lavatriçja” e madhe e parave të pista

Me hotelet luksoze, qiellgërvishtësit gjigantë dhe ishuj të ndërtuar nga dora e njeriut, Dubai e prezanton veten në pjesën tjetër të botës si një parajsë luksoze ultra moderne. Por, pas këtij shkëlqimi qëndron vendi që pastron një pjesë të madhe të parave të pista të krimit.

Disa ditë më parë, Projekti i Raportimit të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një strukturë investigative që përqendron punën e vet në luftën kundër këtyre dy fenomeneve, publikoi raportin në të cilin thotë se Emirati i Dubait u ofron kriminelëve dhe të korruptuarve një rrugë alternative, pa burokraci dhe mjaft të thjeshtë për të pastruar milionat e vënë në mënyrë të paligjshme.

Sipas kësaj organizate, apartamentet me vlera miliona dollarë në Dubai mund të blihen me para të thata në dorë dhe askush nuk të pyet për burimin e tyre. Pak ditë më vonë, nëse blerësi ndryshon mendje, paratë i rikthehen përmes një transaksioni në një llogari bankare të përcaktuar nga blerësi i penduar i apartamentit. Në fund të kësaj, paratë përfundojnë në sistem dhe janë krejtësisht të ligjshme.

“Ky vend është një parajsë për pastrimin e parave”, deklaroi një biznesmen në kushtet e anonimatit.

Në letër, ligjet kundër pastrimit të parave në Emiratet e Bashkuara Arabe u ngarkojnë kompanive që të provojnë origjinën e parave të klientëve të tyre, për të verifikuar se kush qëndron vërtet pas milionave që hidhen. Në realitet, persona të vendosur në listën e sanksioneve ndërkombëtare, organizata kriminale nga Rusia dhe Azia Qendrore ja kanë dalë mbanë që të pastrojnë paratë e tyre duke përdorur sektorin e ndërtimit që po lulëzon në Dubai.

Me të investuar në prona shumëmilionashe, Dubai nxit blerësit që të “mos ndjehen” si të huaj dhe për 275 mijë dollarë të tjera u jep një leje qëndrimi rezidenti, për të gjithë familjen.

Raporti thotë se sektori i ndërtimit është ai që lakmohet më shumë nga kriminelët për të pastruar paratë e tyre

Përveç kësaj, Dubai është kryeqendra e një praktike të vjetër pagesash, ku shumat e parave mund të dorëzohen nga njëra dorë në tjetrën në bazë të “fjalës së nderit”. Praktika disashekullore njihet nga institucionet financiare të vendit, por kontrolli dhe identifikimi i burimit të shumave që qarkullojnë në këtë formë është krejtësisht i pamundur.

Një tjetër fakt që e bën vendin e vogël arab tërheqës edhe për të korruptuarit është fakti që ai nuk ekstradon persona të akuzuar për korrupsion në vendet e tyre, madje sigurohet që ata që kanë vjedhur gjëkundi përmes korrupsionit, të shpenzojnë këto para dhe të jetojnë të qetë.

Vitin tjetër, Emiratet e Bashkuara Arabe do të organizojnë Konventën e OKB-së kundër Korrupsionit, një prej tryezave më të rëndësishme ndërkombëtare për të luftuar këtë fenomen. Por, organizimi i një eventi nga përpjekjet që bëhen në terren, të paktën në rastin e Dubait janë vite dritë larg.

Si hap të parë, Dubai duhet të bëjë publike emrat e investitorëve që zotërojnë kompani apo prona në vend. Kjo do ta bënte më të lehtë zbatimin e ligjit kundër pastrimit të parave dhe të ndalonte shumat e dyshimta që të rridhnin të pashqetësuara në sistemin e vet financiar.

Muajt e fundit, një hap të ngjashëm kanë ndërmarrë vende shumë më të varfra se Dubai, si Gana, Afganstani apo Nigeria dhe për autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, që kanë akses tek teknologjia më e fundit, duhet të jetë një lojë fëmijësh hartimi dhe më pas publikimi në internet i listës së pronave dhe zotëruesve të tyre në vend. Pyetja që ngrihet është nëse udhëheqësit politikë të vendit kanë vullnet për ta bërë këtë apo jo?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë