Politike

‘Duam lekët tona’, një skaner i fondeve të BE për Shqipërinë 2030

Nga Gazeta ‘Si’- “Kështu që, e dashur Marta, ne duam lekët tona”!

Toni me të cilin kryeministri e artikuloi pak ditë më parë këtë kërkesë në prani të komisioneres së zgjerimit Marta Kos, përcolli ndjesinë sikur Bashkimi Europian po i vononte Shqipërisë financimin e premtuar si pjesë e Planit të Rritjes për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Por nuk është saktësisht kështu.

Gazetasi.al ka analizuar të gjithë dokumentat dhe është konsultuar me ekspertë të çështjeve të zgjerimit  për të kuptuar sa fonde do të marrim nga BE për reformat e dakordësuara në Axhendën Kombëtare, kur do t’i marrim këto fonde, me çfarë kostoje dhe mbi të gjitha, cilat janë kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë. 

Marrëveshjet, pastaj lekët

Kur nisma 6 miliardë euro u lançua majin e kaluar nga Presidentja e Komisionit Europian, Brukseli u bëri të qartë se hapi i parë për të patur akses tek fondet është hartimi dhe miratimi i dyanshëm i Axhendës së Reformave. Këtë detyrim Shqipëria e realizoi në fund të nëntorit 2024 dhe është dokumenti bazë që vendos çfarë reformash do të kryhen dhe kur do të kryhen, duke nisur nga dhjetori 2024 deri në dhjetor 2027. Gazetasi.al ka parë gati 200 masat që Shqipëria ka marrë përsipër të përmbushë për të përfituar fondet dhe për t’i dhënë një shans anëtarësimit deri në 2030-ën.

Pjesa më e madhe, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me ekonominë e gjelbër dhe arsimin, duken aq ambicioze sa të lënë përshtypjen se i përkasin një universi paralel. Por, të fokusohemi tek fondet e BE-së dhe kushtet për marrjen e tyre. Pas Axhendës së Reformave, Shqipëria duhet të miratojë tre marrëveshje me Bashkimin Europian, pa të cilat, vendi nuk mund të ketë akses në asnjë qindarkë europiane. Këto janë Marrëveshja për hapjen në Tiranë të përfaqësisë së Bankës Europiane të Investimeve, Marrëveshja e Huasë për Lehtësimin e Reformave dhe Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, si dhe Marrëveshja që rregullon pozicionet e palëve në këtë proces sa politik, aq edhe financiar.

Marrëveshjet u miratuan në unanimitet në Parlament ditën e vizitës së Komisioneres për Zgjerimin, por, kur kryeministri kërkoi “lekët tona” nga BE, ai e dinte fare mirë se pa hyrë marrëveshjet në fuqi, Bashkimi Europian nuk mund të disbursonte asnjë fond! As për Shëipërinë, as për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. 

Sa lekë marrim? 

“Janë 922 milionë euro fonde që BE vendos në dspozicion të Shqipërisë, ndër të cilat 264.6 milionë si grant, pra, falas dhe kanalizohen përmes Procesit të Berlinit për projekte investimi, pjesa tjetër e fondeve 657.5 është në formë huaje për reformat që duhet të realizojmë deri në fund të vitit 2027 për të konkretizuar vizionin tonë Shqipëria 2030”- u shpreh Ministri për Parlamentin Taulant Balla, kur paraqiti marrëveshjet për miratim në parlament.

Shuma e deklaruar përkon me të gjitha dokumentat e miratuar në Bruksel dhe në Tiranë për zgjerimin. E thënë ndryshe, më pak se 30% e të gjithë fondit është falas dhe më shumë se 70% është borxh që Bashkimi Europian ua jep vendeve të Ballkanit Perëndimor me interes shumë të ulët.

Dhe me moton se asgjë nuk jepet falas, Bashkimi Europian ka një skuadër të madhe që kujdeset dhe jep llogari se si përdoren paratë e qyetarëve europianë. Çdo reformë e Shqipërisë, që përkthehet në parà për Bashkimin Europian do të monitorohet nga një Komitet i posaçëm,  funksionimi i të cilit është parashikuar në një nga marrëveshjet e ratifikuara në Parlament.

“Komiteti i Monitorimit të Facilitetit të Reformave dhe Rritjes do të vlerësojë shkallën dhe cilësinë e zbatimit të të gjitha reformave dhe investimeve në drejtim të përmbushjes së objektivave të përcaktuara në Agjendën e Reformave”- thuhet në njërën prej marrëveshjeve. Dhe ky komitet nuk është i vetmi që monitoron. Ashtu si reformat, edhe paratë që do të jepen nga BE kanë rojtarin e tyre – Përfaqësinë në Tiranë të Bankës Europiane të Investimeve.

“BEI dhe zyra e saj këtu do të jetë thellësisht e përfshirë edhe në menaxhimin e fondeve që lidhen me Planin e ri të Rritjes, për të ndjekur projektet, plotësimin e afateve, kushteve të tyre, për të lehtësuar dhe për të krijuar kushtet për thithjen e fondeve aq të nevojshme për Republikën e Shqipërisë.”- u shpreh zëvendësministri i Punëve të Jashtme Endrit Yzeiraj në një nga seancat dëgjimore në komisionet parlamentare. Megjithatë, gjuha e përdorur nga opozita për të njëjtën çështje, e zbulon akoma më shumë marrëdhënien delikate të Shqipërisë me lekët dhe kujdesin që Bashkimi Europian tregon për fondet, qofshin këto edhe borxh.

“Lajmi i mirë që vjen me Paketën e Rritjes është se paratë nuk do t’i lihen në dorë qeverisë, sepse, përndryshe, do të fluturonin, siç ndodhi me fondet e IPARD-it, që për shkak te abuzimit nga qeveria, vazhdojnë të jenë të pezulluara dhe fermerëve shqiptarë u mungojnë 116 milionë euro ndihmë. Fondet për reformat do të menaxhohen nga zyra në Tiranë e Bankës Europoane të Investimeve dhe nga strukturat e Komisionit Europian. Përndryshe, çdo fond që ka ardhur, është abuzuar dhe vjedhur. “- tha për Gazetasi.al Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku. Sipas marrëveshjeve të miratuara, kur ato të hyjnë në fuqi pas pak ditësh, Shqipëria ka të drejtë të kërkojë disbursimin e menjëhershëm të 7% të borxhit në dispozicion, që llogaritet në rreth 46 milionë euro.

Tani për tani, kaq janë “lekët tona” që mund të marrim nga fondi i BE-së. Të tjerat, varen nga sasia dhe cilësia e reformave deri në dhjetor 2027! 

Reformat, pastaj lekët

Në Axhendën e Reformave te miratuar nga Shqipëria dhe Komisioni Europian listohen 31 reforma, të shpërndara në 138 hapa që Shqipëria duhet të plotësojë deri në dhjetor 2027, në mënyrë që të përfitojë nga fondi  për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe të mbyllë negociatat për anëtarësim, nëse deri atëherë nuk dalin kushte të reja. Kjo është pjesa më e vështirë e punës për Shqipërinë. Pesë janë shtyllat kryesore që BE vlerëson se e afrojnë ekonominë shqiptare me Tregun e Përbashkët Europian dhe e përgatisin vendin për të qenë anëtar: E para, reformat në fushën ekonomike, mes të cilave një klimë më e mirë për biznesin, heqja e përjashtimit nga taksat dhe rritja e eksporteve deri në 40% të PBB, duke synuar rritje ekonomike dyshifrore.

E dyta, investimi në kapitalin njerëzor, ku përfshihet reformimi i sistemit arsimor, kurrikula të reja për sistemin parauniversitar, pajisje e 95% të shkollave me internet të fuqishëm dhe laboratorë smart, trajnimin e mësuesve me teknologjinë dixhitale dhe mësimdhënien e standardeve europiane.

E treta, energjia dhe ekonomia e gjelbër, që konsiderohet një nga fushat më të vështira, pasi trajtohet jo vetëm dekarbonizimi i industrisë, por preket edhe çmimi aktual i energjisë. Tregu do të duhet të liberalizohet dhe qeveria do të duhet të heqë dorë nga politika e deritanishme prej disa dekadash, ku shteti përcakton çmimin e energjisë për qytetarët. Bashkë me përjashtimin nga taksat, kjo mund të jetë reforma më e ndjeshme për portofolin e njerëzve.

E katërta ka të bëjë me tranzicionin dixhital, që e përgatit shoqërinë për epokën dixhitale dhe rrit sigurinë kibernetike.

E pesta lidhet me shtetin e së drejtës, përfshirë konsolidimin e institucioneve të drejtësisë, me fokus tek integriteti dhe pavarësia e tyre, si dhe tek kërkesa e vazhdueshme për ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Sipas marrëveshjeve, Shqipëria ka të drejtë të aplikojë për marrjen e fondeve 2 herë në vit, deri në 2027-ën, por disbursimi i kësteve të kredisë lidhet ngushtësisht me vlerësimin që bëhet nga strukturat e Komisionit Europian për cilësinë dhe sasinë e reformave. Sasia e reformave, sipas datave në kalendarin Tiranë-Bruksel, është lehtësisht e matshme, por për cilësinë e tyre duhet pritur dhe vlerësuar sesa strikt do të jetë Brukseli.

Mes gjeopolitikës dhe burokracisë qendron gjithmonë një vendim politik! Dhe lekët tona ndodhen diku në mes! 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë