Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri Edi Rama theksoi se Kosova dhe Shqipëria duhet të ecin krah për krah.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e përbashkët të Kuvendeve në Prishtinë, Rama tha se Shqipëria po bën hapa të shpejtë drejt familjes evropiane, ndërsa shtoi se edhe Kosova duhet të bëjë të njëjtën gjë.
“I nderuar kuvend i bashkuar i Shqipërisë dhe Kosovës, teksa një vit po ikën dhe një vit tjetër i ri po vjen, kanë kaluar pak më shumë se 10 vjet që kur iu adresova kësaj salle nga kjo foltore si kryeministër i sapo zgjedhur i Shqipërisë. 10 vite janë shumë pak në jetën e një kombi, por janë shumë në jetën e një individi. Gjithsesi kjo dekadë ka qenë vendimtare për ne, në anën tjetër të bjeshkëve në Shqipëri. 10 vite me sakrifica dhe mundime të mëdha, ku nuk kanë munguar as dhimbjet e fatkeqësive natyrore, që nga përmbytjet, një tërmet shkatërrimtar dhe një pandemi globale.
Por kur përjetoj sot habinë e miqve dhe vizitoreve të mrekulluar nga transformimi i Shqipërisë them se ia kanë vlejtur gurët dhe balta. Shqipëria po bëhet evropian që nuk u bë dot për shumë vite.
Aty ku gjendet shtëpia e madhe e Evropës së Bashkuar, aty ku fëmijët e Shqipërisë dhe Kosovës nuk do merren dot kurrë peng nga e kaluara jonë e përbashkët. Para pak kohësh erdhi në Tiranë misioni i hulumtimit të NATOs, për të parë nëse Shqipëria plotëson kushtet për samitin.
Përshtypjet e misionit ishin të paimagjinueshme. Sot ne e presim me besim që në Samitin e Hagës, Shqipëria të shpallet vendi mikëprites i NATOS në 2027. Ky vit është edhe objektivi i përbashkët me Këshillin e Europës për të mbyllur negociatat me BE dhe për t’i hapur procesit dy vjeçar ratifikimet në parlamente që do të ratifikojnë hyrjen e Shqipërisë në BE me të drejtat të plota në 2030”, tha Rama.
Ai deklaroi se i gjithë faji për degradimin e dialogut duhet të bjerë te Serbia, por shtoi se “pezmatimi i aleatëve tanë strategjikë me Kosovën na pengon që të bëjmë për Kosovën sa do të donim”.
Më tej, kreu i qeverisë shqiptare kujtoi fjalët e Ibrahim Rugovës:”’Objektivat e përbashkëta janë integrimi në BE, NATO dhe në miqësi permantente me SHBA-në. Shqiptarët sot janë populli më dinamik në këtë pjesë të Europës’. Këto fjalë kaq të thjeshta në dukje janë gjithçka që në fakt na duhet e na mjafton për të mos e humbur bashkimin historik me familjen europiane dhe për të mos e hequr nga mendja se këtë shans mund ta shfrytëzojmë vetëm si trimi i mirë me shokë shumë”.
Rama gjithashtu theksoi se sa e rëndësishme është që të mbahen marrëdhënie të mira me aleatët strategjikë. Ai theksoi edhe se sanksionet e vendosura ndaj Kosovës nga Bashkimi Europian janë absurde dhe duhet të hiqen.
Në këtë fazë kaq vendimtare, Kosova, sipas Ramës duhet ta ngrijë, ta ftohë pa afat dialogun bilateral me Serbinë, dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me BE, "duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit evroipianist me BE."
Rama pati edhe një mesazh për Albin Kurtin duke thënë se duhet të jenë bashkë në tryezën e BE-së, jo 'njëri me negociata e tjetri me listën e sanksioneve të Brukselit'.
“Sa të lumtur do të ishim sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën, sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku në krye të vendit, si mishërim i vlerave europiane në këtë rajon, ku jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit.
Dëshira ime e zjarrtë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave, tjetri në listën e sanksioneve të BE-së, të cilat, meqë ra fjala, janë një absurditet absolut. Bashkë me Presidenten (Osmani) këmbëngulëm me forcë që ato masa të hiqen dhe fondet e penguara për shkak të masave të mos digjen.
Por, duhet të jemi dorë për dore, paqedashës e paqeruajtës, për të bindur skeptikët për njohjen e Kosovës si shtet. Barra e fajit për degradimin e procesit të dialogut t’i bjerë e gjitha Serbisë dhe asnjë gram Kosovës. Pezmatimi i aleatëve tanë strategjikë me Kosovën na pengon që të bëjmë për Kosovën sa do të donim”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.