Bota

Dronë edhe në Suedi pranë një baze të marinës ushtarake. Danimarka ende në alarm!

Gazeta Si – Mbrëmjen e të enjtes, policia suedeze mori raportime të shumta për dronë që fluturonin mbi ishujt Styrkoe dhe Tjurkoe, në arkipelagun Karlskrona në Suedinë jugore.

Raporti i parë u mor dje në mbrëmje në orën 20:30 të mbrëmjes dhe policia mbërriti në vendngjarje dhe vëzhgoi dronët, të cilët po fluturonin pranë një baze të madhe të marinës suedeze, sipas “Sveriges Radio”, radios së shërbimit publik të Suedisë.

Ndërkohë, hapësira ajrore mbi aeroportin e Aalborg Airport në veri të Danimarkës, është rihapur të premten herët në mëngjes, pasi u mbyll për të dytën natë radhazi për shkak të dyshimeve për aktivitet të dronëve në zonë.

Policia daneze njoftoi në rrjetin social X se hapësira ajrore u rihap në orën 00:35, pasi ishte mbyllur një orë më parë, në 23:40 të së enjtes, për shkak të raportimeve për një objekt fluturues të dyshimtë.

Vetëm një natë më parë, i njëjti aeroport i cili shërben si për fluturime komerciale ashtu edhe për ato ushtarake u detyrua të ndalonte operacionet për rreth tre orë për shkak të pranisë së dronëve në hapësirën e tij ajrore.

Incidentet e njëpasnjëshme kanë rritur ndjeshëm shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe atë evropiane, sidomos pasi edhe aeroporti kryesor i vendit, Copenhagen Airport, u mbyll pak ditë më parë për arsye të ngjashme.

Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, i ka cilësuar misionet e përsëritura me dronë si “sulme hibride”, të cilat ndërthurin taktika ushtarake me metoda të fshehta dhe kanë si synim kryesor përhapjen e frikës.

Autoritetet daneze deklaruan se deri më tani nuk dihet kush fshihet pas këtyre incidenteve. Qeveria nuk ka vendosur ende nëse do të kërkojë aktivizimin e Nenin 4 të NATO, i cili u jep vendeve anëtare të drejtën për të kërkuar konsultime në rast kërcënimesh për sigurinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë