Gazeta Si – Shtëpia e Bardhë është e bindur se Rusia i është drejtuar Iranit për t’i kërkuar “qindra” dronë, përfshirë avionë sulmues, për t’u përdorur në pushtimin e Ukrainës.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, theksoi se për momentin është e paqartë nëse Teherani tashmë e ka furnizuar Moskën me sistemet e kërkuara.
Megjithatë, tha Sullivan, SHBA ka “informacione” që tregojnë se Irani po përgatitet të trajnojë forcat ruse në përdorimin e këtyre sistemeve që në fillim të këtij muaji.
Një lajm i tillë vjen pak ditë para se Vladimir Putin do të bëjë një vizitë zyrtare në Iran javën e ardhshme.
Kreu i Komitetit të Ekonomisë të Parlamentit iranian, Mohammadreza Pour-Ebrahimi, tha për agjencinë e lajmeve “Irna”, duke shtuar se presidenti rus do të jetë në vend për të diskutuar se si të forcohen marrëdhëniet ekonomike midis Moskës dhe Teheranit.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Putinit në Iran që kur presidenti Ebrahim Raisi u zgjodh vitin e kaluar.
Ndërkohë, vijojnë vrasjet e ushtarakëve të lartë rusë në Ukrainë që prej fillimit të luftës.
Gjenerali Artem Nasbulin, shefi i shtabit të Korpusit të 22-të të Forcave të Armatosura Ruse, dyshohet se është një nga viktimat e sulmit me raketa të kryer nga ukrainasit kundër një poste komanduese të lëvizshme në Tavriis’k, në rajonin Kherson.
Njoftimi për vrasjen e oficerit të lartë është dhënë nga Serhiy Bratchuk, zëdhënës i kreut të administratës ushtarake rajonale të Odesë, në Telegram. Në sulmin e kryer me raketa Himars, thuhet se kanë vdekur gjithsej 12 oficerë rusë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.