Dje Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave (EMCDDA) ka ngritur alarmin se organizatat e drogës në Shqipëri po u shërbejnë politikanëve duke: zhvatur bizneset përmes gjobave, mbështetje të kandidatëve në zgjedhje ose frikësimin e kundërshtarëve politikë, shkatërrimin e opozitës, prishjen e tubimeve partiake, manipulime të rezultateve të zgjedhjeve dhe financimin e fushatave elektorale në shkëmbim të imunitetit nga ndjekja penale.
Megjithëse ky është një fakt i provuar dhe ”i pranuar” nga publiku konstatimi duhej të mos humbiste enkas pas dy temave që ashtu si po shërbehen janë fare pa dobi: Filli i reformës zgjedhore dhe numri i të infektuarve nga pandemia e COVID-19.
Mazhoranca nuk foli as fare, ndërsa PD e LSI komentuan përmes daljeve publike të Luan Ramës dhe Enkelejd Alibeaj. Të dy nga selitë respektive, për të dalë më pas në qëndrime politike.
Sepse të gjithë dje ishin të zënë duke numëruar votat e zgjedhjeve të ardhshme, vitin tjetër.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj që s’mbahet mend se kur ka dal të flas për publikun për gjëra vërtetë serioze dhe të rëndësishme për të, të paktën këtë herë duhet të tregonte një qasje.
Por heshtja e institucioneve të ligjit, dhe jo vetëm atyre është bërë kthyer në një rutinë demode por që të vret po njësoj sa droga e krimi që ka kapur pushtetin.
Ndërkohë që qetësia e realiteti nuk është aq e ngjashme me memecërinë e tyre.
Vendi po zien nga afshet e drogës, kultivimi dhe tregtimi i hashashit vendas.
Gazeta “Si” ka treguar herë pas herë me dëshmi nga dosjet e hetimit të policisë apo prokurorisë se hashashi i mbjellë ka zbritur deri në rrethinat e kryeqytetit, se tregu i drograve po lulëzon në mes të Tiranës. Aq shumë është zhvilluar ky fenomen sa po fut në një krizë sociale të fortë gjithë shoqërinë.
Kemi treguar raste sesi të rinj bien pre e trafikut dhe përfundojnë burgjeve, sesi të tjerë lënë peng çfarë të kenë pasuri për të marrë dozën e dëshiruar, kemi treguar sesi bare, restorante, markete, bilardo dhe klube nate janë kthyer si tezgat ambulante të drogës dhe familjet janë shkatërruar.
Dhe megjithëse gjithë ky trafik është kaq i dukshëm dhe po bëhet sërish kaq dominues edhe pse kufijtë janë mbyllur për shkak të pandemisë, nuk ka asnjë rezultat konkret.
Gazeta ka treguar plot raste si në vend të padronëve janë kapur shpërndarësit e vegjël dhe barinjtë. Janë futur në burg kryepleqtë, por jo pronarët e parcelave me hashash.
Kemi treguar se si në mënyrë të çuditshme edhe kur ka pasur prova ato nuk kanë çuar tek padronët e trafikut. Sigurisht ata janë lidhur me pushtetin sicc edhe vëren raporti i EMCDDA.
Policia vetëm nuk i jep drejtim zgjidhjes së kësaj situatë të rëndë. Ca me keq edhe ministri aktual që edhe pse ndihet i lodhur është shumë efektiv kur përdor vartësit për të kërcënuar të prekurit nga Covid-i të mos dalin nga izolimi, por pa mundur të izolojë një virus edhe më të madh që është krimi, i cili ka hyrë tani aq thellë në trup të shoqërisë sa i ka prekur jo vetëm institucionet, por edhe i ka rrënuar imunitetin. Por edhe reforma në drejtësi, institucionet e reja të saj dhe as vettingu me sa duket ende nuk po fuksinojnë. Shoqëria shqiptare po bërtet për ndihmë se krimi e droga po e mbysin sa nuk po shikojnë dot më të ardhmen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.