Ana e errët

Droga në kryeqytet po shitet me kolateral…

Shitja e drogërave në kryeqytet duke lënë si garanci sende personale apo duke shënuar emrin në listën e borxhlinjve është kthyer prej kohësh në një trend që ndiqet nga halli prej atyre që përballen me vështirësi ekonomike. Por një 40-vjeçar, i shpallur fajtor si shpërndarës, është urdhëruar nga gjykata që të kthejë pas 14 telefona që mendohet se nuk i përkasin atij dhe që duhet të dorëzohen në duart e pronarëve të ligjshëm. E. Jahja në përfundim të një procesi që u zhvillua me gjykim të shkurtuar u dënua me 3 vjet e katër muaj burgim nga gjykata. Por gjykata deklaroi se dozat e kokainës që iu gjetën në shtëpi duhet të asgjësohen, kurse shtoi gjithashtu edhe një urdhër suprizë për të akuzuarin. “Të gjitha sendet e tjera duhet t’u kthehen pronarëve të ligjshëm”. Por sende të tjera që u evidentuan gjatë aksionit antidrogë janë 14 aparate telefoni të gjetura në shtëpinë e tij dhe që u mendua se janë pronë e porositësve të kokainës.

Si ndodhi aksioni

Metoda e lënies peng të diçkaje me vlerë nga përdoruesit e drogërave u evidentua pasi përdoruesi me inicialet R. C shkoi vullnetarisht në polici dhe tregoi se kishte lënë si garanci telefonin dhe orën e dorës. Ai madje hodhi dritë edhe mbi çmimnet, duke e thënë shkoqur se një dozë kokainë vlen 6 mijë lekë. “Jam përdorues i kokainës prej dy vitesh, rrëfeu R. C. Kohët e fundit e kam blerë kokainën tek E. Jahja, përballë "Harri Fultz". Ai e shet në banesën e tij. Kam parë edhe persona të tjerë kur shkoja të blija”, rrëfen përdoruesi. Pazari i fundit për kokainë ndodhi para pak muajsh, atëherë kur përdoruesi R. Cepani nuk arriti t’i plotësojë lekët e duhura për dozën e radhës. “I thashë që nuk i plotësoja lekët për kokainën dhe E. më kërkoi të lija diçka peng derisa t’i dorëzoja shumën për lëndën narkotike. Në këtë moment lashë peng iphone x me ngjyrë të zezë, një smartfon android me ngjyrë të bardhë pa numër brenda dhe një orë të zezë me rrip të zi”. Të nesërmen përdoruesi i kokainës është rikthyer sërish për kokainë dhe për të bërë pazar. Kjo kuptohet nga dosja e zbardhur nga Gazeta “Si”.

“Shkova te shtëpia e E, dhe i kërkova kokainë, shtova se nuk i kisha lekët dhe se sendet që lashë peng një ditë më parë kushtonin më shumë se doza që kisha blerë në atë datë”. Ky ka qenë një moment i vështirë për pronarin e kokainës që është ngritur në këmbë dhe ka goditur me grushte R. C, derisa ai ka humbur ndjenjat dhe është rrëzuar përtokë.

Në vendimin e gjykatës që Gazeta “Si” po e zbardh përmendet se në banesën e E. Jahja të kthyer në një “dyqan” kokaine u gjetën edhe 70 doza të tjera të djegura me qese të mbyllura në një qese lejla me oriz. I pyetur më pas nga gjykata shpërndarësi dha një dëshmi që binte ndesh me versionin e policisë, pasi 40-vjeçari këmbënguli se “kokainën e kam për përdorim vetjak”. Ndihem thellësisht i penduar, - pohoi 40-vjeçari, - ju lutem merrni në konsideratë faktin që kam dy fëmijë të mitur dhe prindërit në ngarkim. Pasi e shpalli fajtor gjykata urdhëron gjithashtu kalimin në pronësi të shtetit të shumës së parave të gjetura në banesën e shpërndarësit. Ndërkohë që deklaroi “t’u kthehen sendet e tjera të sekuestruara në funksion të këtij procedimi penal, pronarëve të tyre të ligjshëm”. Por në vendimin që Gazeta “Si” disponon, nuk qartësohet se cilët janë individët e tjerë që ishin përdorues dhe që gjithashtu e kishin zgjidhur hallin duke lënë peng telefonat. As hetimi nuk e ka zbuluar pronësinë e aparateve celularë, dhe diçka e tillë do të thotë që për t’i kthyer aparatet te “pronarët” do të nevojitet asistenca e shpërndarësit të kokainës.

Vazhdimisht gazeta Si ka treguar raste nga më të çuditshmet si dhe ka denoncuar trendin e përdorimit të kokainës ngado. Përgjatë aksioneve antidrogë është vërejtur thonë ekspertët e policisë përshtatja e lokaleve për konsum të kokainës, që në përfundim merret përsipër nga punonjës të thjeshte sikurse kamarierë apo banakierë. Gjithashtu si mënyrë e re e shpërndarjes kryesisht të kokainës është edhe marrja e banesave me qera që përdoren enkas si “dyqane” për shpërndarësit. Në një rast tjetër edhe në Sauk, një shpërndarës u prangos pasi një përdorues kishte lënë si garanci dokumentin e identifikimit. Ndërkohë që në afërsi të 21 dhjetorit gjatë një operacioni për goditjen e një baze që shpërndante heroinë, antidroga arrestoi një lavazhier, të cilit në shtëpi ju gjet një listë e gjatë me përdorues dhe përkarshi emrave të tyre edhe borxhet që ata kishin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë