Futboll

Dritë në fund të tunelit për Skënderbeun… UEFA i dërgon shkresën e shumëpritur

Nga Gazeta Si- Kur thonë pas çdo keqeje vjen një e mirë, me sa duket është e vërtetë në rastin e Skënderbeut. Në një kohë kur mungojnë rezultatet pozitive për daljen nga kriza, ku janë aktualisht në Superiore, është UEFA, ajo që e “groposi” rreth 10 vite më parë, që ka menduar t’i rikthejë buzëqeshjen klubit korçar.  

Gazetasi.al ka mësuar që prej pak kohësh në klub ka mbërritur një letër nga “Qeveria Europiane e Futbollit” se dënimit të tyre po i vjen fundit dhe shumë shpejt do të jenë të lirë të marrin pjesë në Kupat e Europës.

Shkëlqimi dhe rënia e Skënderbeut…

Ishte edicioni 2009/2010 kur skuadra e Skënderbeut të Korçës arriti pas shumë përpjekjesh të kalonte në Kategorinë Superiore, që në atë periudhë luhej me 12 skuadra. E megjithatë, që në vitin e parë të ngjitjes, korçarët rrezikuan shumë që të zbrisnin sërish, pasi qëndruan për pjesën më të madhe të sezonit në zonën e ftohtë të klasifikimit.

Por ishte pikërisht kjo periudhë kur pranë skuadrës së qytetit të Korçës u afruan disa biznesmenë, që tentuan ta shpëtonin të paktën nga rënia nga kategoria, që në ato momente ishte objektivi kryesor duke qenë se ndodhej në vendet e fundit.

Në mbyllje të atij edicioni ia dolën dhe Skënderbeu e mbylli kampionatin në vendin e 9-të, duke siguruar qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar. Nga edicioni pasardhës e në vijim korçarët filluan dalëngadalë të shkruanin historinë e futbollit shqiptar me ndërtimin e një klubi model për atë kohë, me lojtarët më të mirë dhe me një organizim perfekt, ashtu si edhe me përmirësimin e infrastrukturës.

Për 6 vite rradhazi ata u shpallën kampionë të vendit dhe dhe në total gjatë asaj periudhe arritën të fitonin edhe trofeun e 7-të.

Dënimi me “vdekje” nga UEFA dhe hapat pas të tyre

Problemet filluan kur ekipi i Skënderbeut pati dyshimet për trukime ndeshjesh, për të cilat, në një dosje me 52 ndeshje të dyshuara, por pa ndonjë fakt, UEFA vendosi ta dënojë fillimisht me 10 edicione kualifikuese europiane për të mos marrë pjesë në aktivitetet e saj.

Pra korçarëve i duhej që në 10 sezone të arrinin të futeshin në zonën europiane në kampionatin vendas dhe pavarësisht se nuk mund të luanin dot, të paktën të ulnin dënimin 10-vjeçar.

Më pas, në heshtje UEFA kuptoi se ky ishte një denim me “vdekje” praktikisht dhe vendosi që ta modifikojë nga 10 kualifikime në 10 vite dënimin me mospjesëmarrje në Europë. Betejat ligjore të drejtuesve të korçarëve rezultuan nul, pasi nuk ndryshuan dot asgjë.

Lajmi i miri për skuadrën korçare në mes të krizës së rezultateve!

Por kësaj periudhe të errët të Skënderbeut me sa duket i ka ardhur fundi si pa e kuptuar. Edhe pse në këtë edicion ndodhet për momentin në vendin e fundit dhe në garë për mbijetesën, një lajm i mirë i ka mbërritur nga UEFA. Skuadra korçare duhet të bëhet gati për t’u rikthyer të marrë pjesë në Kupat e Europës nga edicioni 2026/2027, pasi plotësohet 10 vite penalitet. 

Në këtë mënyrë mes problemeve aktuale me skuadrën, me rezultatet dhe me gjendjen sportive të ekipit që ndodhet në fundin e renditjes, drejtuesit e skuadrës së Skënderbeut mund t’i gëzohen faktit se po duket drita në fund të tunelit që zgjati kaq shumë.

Por, për të qenë aty ku dikur Skëndërbeu na bëri të gjithëve krenarë, pjesëmarrëse në Kupat e Europës, si fillim i duhet që rezultatet sportive në Superiore të jenë të nivelin për ta arritur sportivisht atë gjë, pra brenda 4 vendeve të para.

Gjithsesi rendësi tashmë do të ketë që Skëndërbeu shumë shpejt do të jetë i lirë të mendojë e luftojë se prania në vendet e para do ta rikthejë mes klubeve pjesëmarrëse në garë për trofetë Europian.

UEFA bëri amnisti në rastin ndaj Skënderbeut, duke e kthyer dënimin jo në 10 pjesëmarrje, por në 10 vite. Nuk dihet se kush ia ka bërë këtë nder Skënderbeut. Në Zvicër thonë Babagjyshi i Vitit të Ri…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë