Nga Gazeta ‘Si’– Emri i Ergys Agasit, mori “famë” në publik kur rreth një vit më parë ish zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj,i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, e cilësoi atë si ndërmjetësin e Edi Ramës me mafian dhe trafikantët e drogës.
Ndonëse profili i tij publik mbetej i ulët, mediat që nisën të investigonin gjetën se në fakt, ndikimi i tij në prapaskenë ishte i lartë.
Përpara se të merrej me biznes, Ergys Agasi e nisi karrierën e tij në politikë.
Pavarësisht se i ati ishte socialist, (ish-deputeti Bardhyl Agasi), në skenën politike Ergys Agasi u fut si pjesë e LSI-së.
Ai mori postin e kreut të Inspektoratit të Mjedisit, në kohën kur Ministër i Mjedisit ishte Lefter Koka, atëbotë një nga njerëzit më të besuar të Ilir Metës.

Gjatë kohës që ishte në krye të Inspektoriatit të Mjedisit, Agasi krijoi lidhje të forta miqësie me Alqi Bllakon, i shpallur fajtor për korrupsion pasiv lidhur me inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit, me babanë e të cilit ka edhe kompaninë “EA LOGISTOCS”.
Ndërkohë, Agasi zotëron edhe kompaninë EA SOLUTIONS. Të dyja, operojnë në logjistikë dhe prodhim cigareje.
Por lidhja e tij me LSI-në nuk zgjati fort.

Agasi dha dorëheqjen nga posti në shtator të vitit 2017, kur koalicioni mes PS-së dhe LSI-së ishte prishur. Dhe sakaq, jeta e tij politike mori një tjetër kthesë.
Kjo ishte periudha, kur ai filloi të konsiderohej si ‘eminenca gri’ e kryeministrit Edi Rama.
Mediat e ndryshme nisën t’i referoheshin Agasit si ndërmjetësi që Rama përdorte për interesa politike e zgjedhore sidomos në zonën e Durrësit.
Të tjerë publikuan lista sipas të cilave të afërm të Ergys Agasit ishin emëruar në pozicione drejtuese në institucione si Drejtoria e Patentave, OSHEE/Durrës apo AKU, dhe i lidhën këto emërime me ndikimin politik të Agasit pranë strukturave vendimmarrëse — duke implikuar se Rama mbështet emërimet e tilla.
Intervista e RAI 3- Emri i Agasit si nyje lidhëse e Ramës me mafian
Pikërisht në këtë kohë, nga arratia, Arben Ahmetaj dha një intervistë për emisionin investigativ “Report” të kanalit italian RAI 3.
Në pjesën e dytë të dokumentarit, ish-numri dy i qeverisë bëri akuza të forta për lidhje të Ramës me krimin e organizuar, duke përmendur kryesisht Agasin si njeriun kyç në këtë çështje.
“Grupet kriminale marrin tenderë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Është e ditur kjo në Shqipëri. Ndërtojnë, pastrojnë paratë e tyre ndërtim në Shqipëri. Praktikisht shesin drogë në të gjithë Europën dhe pastaj i kalojnë në Shqipëri. Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri-tjetrin. Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi.
Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve”, tha Ahmetaj.
Duke e përmendur si një nga njerëzit më me influencë në Durrës, Ahmetaj përmendi se Agasi përfshihej për zgjedhjet dhe tha se e takon në zyrën e tij në Kryeministri.
“Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. Por i kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias”, tha Ahmetaj në rrëfimin për RAI3.
Ai përmendi një rast konkret ku Agasi ka organizuar një festë në një resort në periferi të Tiranës, ku morën pjesë përfaqësues të krimit të organizuar, politikës dhe biznesit.
Për të njëjtin takim, ka raportuar edhe Gazetarja Klodiana Lala.
Në postimin e saj, Lala shkruajti: “Për të treguar fuqinë e tij, po ndaj një detaj: disa kohë më parë, Agasi organizoi një festë në një resort në periferi të Tiranës, ku mblodhi krimin, politikën dhe biznesin. Policia ka faktet në dorë. Detajet e kësaj feste janë të dokumentuara, dhe SPAK ka mundësinë t’i hetojë.”
Por pse SPAK ndezi alarmin për Agasin?
Në fakt, arsyeja nuk ishte politike por sepse emri dhe bizneset e tij dolën në një hetim penal konkret, kryesisht të lidhur me kontrabandën e cigareve.
SPAK po hetonte prej kohësh një skemë kontrabande në sektorin e prodhimit dhe tregtimit të cigareve. Një fabrikë (e përfshirë në hetim) ndryshoi pronësi dhe kaloi te një kompani e lidhur me Agasin, pak para se SPAK të ndërmerrte veprime operative.
Ky sinkronizim kohor ngriti dyshime serioze: a ishte transaksioni real, apo tentativë për të shmangur përgjegjësi penale?
Kronologjia e SPAK për rastin Ergys Agasit
Kontrollet e para nga SPAK dhe BKH në banesën dhe bizneset e Ergys Agasit në Durrës dhe Tiranë nisën për herë të parë më 19 qershor të këtij viti.
Jo zyrtarisht, hetimi lidhej me kontrabandën e cigareve por SPAK nuk dha detaje zyrtare të akuzave.
SPAK i sekuestroi telefonin celular.
Rreth një muaj më vonë, më 22 korrik, Ergys Agasi u paraqit në SPAK për t’u pyetur, ndonëse për mediat, nuk ishte bërë publik shkaku konkret i thirrjes.

Megjithatë, ky hap konfirmoi se hetimi kishte kaluar në një fazë tjetër.
Nuk u desh shumë dhe vetëm pak ditë më vonë, SPAK ndërmori një aksion në kompaninë e cigareve në pronësi të tij.
Me urdhër të SPAK, në total u sekuestruan 21 pasuri me vlerë mbi 9.3 milion euro, të dyshuara si përfitim nga kontrabanda në kuadër të një grupi kriminal.
GJKKO sekuestroi aksionet e kompanisë që ka në menaxhim fabrikën e cigareve në Librazhd, 7 apartamente banimi, tre hapësira parkimi+depo, si edhe dy vila dhe truall në zonën e Mulletin në Tiranë.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara, sipas kontratave të shitblerjes dhe vlerësimeve financiare, ishte rreth 9.3 mln euro.
Kjo shumë, sqaroi SPAK, dyshohet se përfaqëson përfitime të paligjshme të gjeneruara nga veprimtaria e kontrabandës në kuadër të organizatës kriminale ose grupit të strukturuar kriminal.
Mandej, më 6 gusht të po këtij viti, SPAK nisi një rrjet të zgjeruar hetimi.
Tashmë në radar, kishtë vënë edhe partnerë të tij të biznesit.
SPAK e zgjeroi fokusin e hetimit duke përfshirë edhe emra si Ermal Beqirin, i lidhur me sektorin e teknologjisë dhe tenderëve publikë.
SPAK ‘e finalizoi’ këtë sagë sot, më 16 dhjetor, kur në orët e para të mëngjesit ndërmori një aksion lidhur me abuzimet me tenderët e AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit).
Për çfarë akuzohen?
Sa i takon dy biznesmenëve, ata janë zotërues të disa shoqërive softuerësh dhe kompjuterike që dyshohet të kenë pasur marrëdhënie kontraktore me AKSHI-n.
Gjithë ky hetim ka lidhje me të paktën 12 procedura tenderuese të AKSHI-t, procedura me vlera në disa miliona euro secili, ku dyshohet se fituesit kanë qenë të paracaktuar”.
Dokumentet tregojnë se Soft Solutions, në pronësi të Ermal Beqirajt faturon rreth 80% të tenderave të AKSHI-t. Kjo është kompania që thuajse çdo vit merr llokmën më të madhe nga të gjitha kompanitë e tjera që tenderon ky institucion.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, ata akuzohen për veprat penale, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Hetimi për çështjen ka nisur rreth 1 vit më parë dhe këtë të martë janë dokumentuar e janë sekuestruar një sërë provash pas kontrolleve në banesa.
Sipas SPAK Ergys Agasi në bashkëpunim me Ermail Beqirin kanë marrë peng shtetasin Gerond Meçe, një prej biznesmenëve që fitonte më së shumti tendera në AKSH dhe pas shantazheve për disa orë me radhë e kanë detyruar të heqë dorë nga gara.
Rezulton se ai më pas është tërhequr nga të gjitha tenderat në AKSH.
Të dhënat janë siguruar jo vetëm përmes celularëve por edhe të dhënave të marra në mënyrë indirekte e direkte nga SPAK.
Për momentin, të dy janë ende në kërkim, pasi nuk janë gjetur nga policia dhe agjentët e BKH-së. Sipas Berishës prej 3 javësh Ergys Agasi është në arrati në Dubai, bashkë me biznesmenin Ermal Beqiri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




