Fillon edhe faza e dytë edhe për futbollin italian. Serie A ka rrethuar në kalendar ditë të ndryshme. Stërvitjet individuale fillojnë në 4 maj, ndërsa në grup duhet pritur 18 maji, sigurisht me të gjitha masat e sigurisë. Për ndeshjet, ideja është që të rifillohet në datat 10-12 qershor, me dyer të mbyllura. Ky është plani i konceptuar nga Lega Calcio, që më pas mori dritën jeshile edhe nga qeveria, me kryeministrin Konte që zyrtarizoi datat në konferencën e prezantimit të Fazës 2. Edhe pse sa i takon rifillimi të kampionateve, kreu i qeverisë u mjaftua të thoshte: “Ministri Spadafora po punon me intensitet bashkë me komitetin tekniko-shkencor dhe të gjithë komponentët për të kuptuar nëse është e mundur që të rifillohen kampionatet”.
Skuadrat e Serie A janë organizuar në bazë të këtij plani: skuadrat kanë thirrur në bazë lojtarët, ata që kanë lënë Italinë duhet të kalojnë 14 ditë në karantinë sikundër e parashikon edhe ligji.
Më pas do të jetë momenti për të bërë një kalendar që të lejojë mbylljen e sezonit brenda korrikut, për ti lënë hapësirë Championsit dhe Europa League. Sipas të gjitha gjasave do të jetë një kampionat i shpejtë, me ndeshje çdo tre ditë dhe natyrisht pa tifozë. Plani është ky. Futbolli italian mund të rifillojë, duke respektuar të gjitha masat e sigurisë dhe mbi të gjitha në mënyrë graduale. E gjitha kjo me miratimin e nevojshëm dhe përfundimtar të Qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




